E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Ndoka

Tani do te punohet për nje Federatë Kristiandemokrate. Ndoka: Votuesit u paguan për dy orët e punës

Nard Ndoka u shkarkua nga posti i kryetari të Partisë Demokristiane dhe në vend të tij u zgjodh Anton Gurakuqi. Këto kanë qenë vendimet kryesore të Kongresit të Jashtëzakonshëm të PDK-së të organizuar dje nga kundërshtarët e Ndokës në këtë parti. Organizatorët pretendojnë se në këtë kongres të jashtëzakonshëm ishin të pranishëm 2/3 e anëtarëve të Partisë Demokristiane. Pas vendimit për të shkarkuar Ndokën dhe miratimit të disa ndryshimeve në statutin e PDK-së, është hedhur në votim mes anëtarëve të pranishëm një kandidaturë e vetme për kreun e ri të partisë, ajo e Anton Gurakuqit. Sikurse pretendohet nga organizatorët e kongresit të djeshëm, në votim kanë marrë pjesë 323 anëtarë të PDK-së, ku pro Gurakuqit kanë votuar 293 anëtarë. Në kongres merrnin pjesë si të ftuar edhe Nikollë Lesi, Zef Bushati dhe Pashk Ujka. Në fjalën e tyre para anëtarëve të PDK-së, Bushati dhe Gurakuqi e kanë akuzuar Ndokën për linjën politike që i ka dhënë Partisë Demokristiane, ndërsa deklaruan se tashmë PDK-ja do të bëhet edhe më e madhe politikisht. Burimet bëjnë të ditur se ekziston ideja e një koalicioni ose konfederate të kristiandemokratëve, duke u bashkuar tek Lëvizja Demokristiane e Nikollë Lesit, Partia Kristiandemokrate e Pashk Ujkës dhe e Zef Bushatit, si dhe Partia Demokristiane e Anton Gurakuqit. Ndërkohë, pas shkarkimit të djeshëm, Ndoka i tha “Korrierit” se nuk e njihte vendimin e djeshëm për shkarkimin e tij, ndërsa e cilësoi si të paligjshëm atë. Ai tha gjithashtu, se në kongresin e nesërm do të vërtetohet edhe mbështetja që ka në Partinë Demokristiane, ku anëtarët e PDK-së do të votojnë për “mocionin e besimit” për kreun Nard Ndoka. Pas kësaj, Ndoka ka reaguar edhe nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ku e ka cilësuar kongresin si një “farsë”. Sipas Ndokës, kjo vërtetohet nga “fakti  se në këtë të ashtuquajtur kongres, merrnin pjesë vetëm 17 delegatë, ndërsa pjesa tjetër e sallës ishin disa njerëz të punësuar për dy orë dhe të paguar për këtë angazhim”. Ndërkohë, Ndoka u ka bërë thirrje 17 delegatëve pjesëmarrës në kongresin e djeshëm, që të marrin pjesë në kongresin e tij që organizohet nesër. Sikurse ishte bërë e ditur edhe më parë nga “Korrieri”, Partia Demokristiane tashmë është me dy kryetarë, të cilët nuk e njohin njëri-tjetrin dhe ligjshmërinë e tyre do ta vendosë gjykata. Në momentin që çështja ka kaluar në gjykatë, gjithçka në PDK pezullohet, madje edhe përdorimi i fondeve të partisë. Tashmë, Partia Demokristiane është ndarë përfundimisht në dy pjesë, ndërsa anëtarësia e PDK-së është me Anton Gurakuqin dhe deputetët janë me Nard Ndokën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›