Shitja e ndërtesave, taksat dhe procedurat që ndjekin kompanitë e ndërtimit
Ervin Koçi
Qeveria ka përcaktuar një paketë rregullash dhe taksash të detyrueshme për t’u paguar nga të gjitha subjektet apo firmat e ndërtimit, të cilat merren njëkohësisht edhe me shitjen e lokaleve apo apartamenteve të godinave që ndërtojnë. Taksat dhe i gjithë dokumentacioni që bëhet për regjistrimin e këtyre veprimeve të shitblerjes nga subjektet ndërtuese paraqitet dhe procedohet vetëm në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Të gjitha kompanitë e ndërtimit që nisin shitjen e apartamente dhe lokaleve që kanë ndërtuar, pas apo dhe gjatë ndërtimit të objektit, duhet që më parë të ndjekin një procedurë të caktuar, e cila është e ndryshme për personat fizikë dhe për ata juridikë. Gjithashtu, plotësimi i dokumentacionit dhe pagesa e taksave të caktuara për këto subjekte është i ndryshëm edhe në rastet kur bëhet fjalë për shitblerje të truallit. Sipas një informacioni zyrtar të bërë publik për gazetën “Albania” nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, “për shitjen e një trualli apo godine nga një kompani ndërtimi, nevojitet një kontratë shitjeje, certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë dhe një kopje e hartës treguese të pasurisë. Ndërsa në rastin e shitjes së një ndërtese banimi nga një kompani ndërtimi, veç kontratës së shitjes, certifikatës së pronësisë apo kartelës së pasurisë, është i detyrueshëm edhe planimetria e apartamentit”.
Afatet dhe gjobat
Afati ligjor për paraqitjen nga ana e firmave dhe kompanive të ndërtimit të dokumentacionit pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është 30 ditë. Ndërsa procedura për pranimin dhe verifikimin e tyre nuk zgjat më shumë se 5 ditë pune. Tarifat për të gjitha këto shërbime janë të pandryshueshme dhe kapin vlerën e 1500 lekëve, ndërsa taksa e shërbimit është 300 lekë. Gjithsesi, në rastet e vonesave aplikohet gjoba për çdo ditë vonesë, e cila kap vlerën e 150 lekëve në ditë për çdo ditë vonese nga ana e subjektit.
Regjistrimi i pasurisë
Për regjistrimin e pasurisë në karabina, dokumentacioni i nevojshëm sipas zyrës së Hipotekës është një shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar lejen e shfrytëzimit, lejen e ndërtimit të miratuar nga KRRT-ja, lejen për sheshin e ndërtimit të dhënë nga organi kompetent, plan-vendosjen e miratuar nga KRRT-ja, aktin e piketimit të objektit, si dhe aktin e kolaudimit të objektit. Më të thjeshta janë procedurat për ndryshimin e kufirit, apo saktësimin e tij. Në rastin e ndryshimit të kufirit, i interesuari duhet të paraqesë një kërkesë, plan-rilevimin, deklaratën noteriale të kufitarëve, si dhe një vërtetim të ndryshimit të kufirit, i cili lëshohet nga autoritetet e pushtetit vendor ose nga subjekti shtetëror që ka në administrim. Për saktësimin e kufijve, sërish individët e interesuar duhet të paraqesin pranë hipotekës, një kërkesë, plan-rilevimin, deklaratën noteriale të kufitarëve, të cilët do të preken nga saktësimi, ose vendimin gjyqësor përfundimtar të formës së prerë. Nëse bëhet fjalë për një korrigjim të gabimeve në kartelë, sërish është e nevojshme që subjekti të paraqitet në hipotekë, por përveç kërkesës kësaj radhe subjekti duhet të marrë edhe një vërtetim nga organi që ka kryer gabimin material.
Kontrata e hipotekimit
Një tjetër procedurë ndiqet për regjistrimin e kontratës së hipotekimit. Dokumentet që janë të detyrueshme për regjistrimin e hipotekës ligjore janë: vendimi gjyqësor ose akti noterial për vendosjen e hipotekimit, ose akti noterial për hipotekim ligjor. Në rastet e fshirjes së kufizimit të bërë me vendim gjykate, është i nevojshëm një vendim gjykate për fshirje ose vendim gjyqësor përfundimtar i formës së prerë. Ndërsa për regjistrim të një kërkesë-padie duhet veç kërkesë-padisë edhe të dhëna për identifikimin e pasurisë objekt gjykimi.
Tarifat e shërbimeve
Tarifat e përcaktuara për fshirje të kufizimit të bërë me vendim gjykate për regjistrim të hipotekës ligjore apo regjistrim të kërkesë-padisë janë të njëjta. Kështu, tarifa shkon 500 lekë, taksa e shërbimit është 150 lekë dhe gjoba për çdo ditë vonesë është 50 lekë për çdo ditë. Ndërsa afati ligjor i paraqitjes në zyrat e Hipotekës është 30 ditë dhe procedura nuk zgjat më shumë se 5 ditë pune. Në rastet e regjistrimit të kërkesë-padisë me vlerë kreditimi deri në 1 milion lekë, tarifa shkon në 3 mijë lekë, gjoba për vonesë shkon në 300 lekë dhe procedura shkurtohet në 4 ditë pune. Në rastet e regjistrimit të kërkesë-padisë me vlerë kreditimi nga në 1.000.001 lekë deri në 10 milionë lekë, tarifa shkon në 6 mijë lekë, gjoba për vonesë shkon në 600 lekë dhe procedura shkurtohet në 4 ditë pune. Në rastet e regjistrimit të kërkesë-padisë me vlerë kreditimi mbi 10 milionë lekë, tarifa shkon në 10 mijë lekë, gjoba për vonesë shkon në 1 mijë lekë dhe procedura shkurtohet në 4 ditë pune.
BOX///////////////////////////////////////////
Tatimi mbi kalimin e pronësisë, pagesa 10 për qind
Nëse një shoqëri ndërtimi i ka shitur një individi një apartament me vlerën 5 milionë lekë dhe ky individ e shet këtë apartament pas disa vjetësh, te një tjetër për 6 milionë lekë, atëherë shitësi është i detyruar të derdhë në arkën e shtetit tatimin sa 10 për qind e diferencës midis vlerës së shitjes që në këtë rast është 6 milionë lekë dhe vlerës së blerjes, që është 5 milionë lekë. Pra, tatimi është 100 mijë lekë dhe paguhet nga individi që e shet pronën. Vendimi për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë u miratua më 26 shkurt të këtij viti nga Ministria e Financave. Sipas vendimit, ky tatim, i cili aplikohet mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtese, është në masën 10 për qind. Në rast se bëhet fjalë për një individ, i cili kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, vendimi parashikon që ai duhet të paguajë tatimin në masën 10 për qind para se të regjistrojë këtë pasuri. Kushti është që kjo pronë apo pasuri e paluajtshme nuk mund të regjistrohet në zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nëse nuk vërtetohet pagesa e detyrimit. Sipas vendimit, kalimi i së drejtës së pronësisë është akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurisë së paluajtshme. Vendimi thekson se tatimi nuk zbatohet vetëm në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga të dy palët, shitësi dhe blerësi.
Dokumentet për kalim pronësie
1. Shitje trualli dhe/ose ndërtesë nga person fizik
Dokumentet: 1. Kontratë shitjeje, 2. certifikatë pronësie, 3. kartela e pasurisë, 4. harta treguese e pasurisë
2. Shitje trualli ose truall+godinë nga person juridik (kompani ndërtimi)
Dokumentet: 1. Kontratë shitjeje, 2. certifikatë pronësie, 3. kartela e pasurisë, 4. një kopje e hartës treguese të pasurisë
3. Shitje ndërtese banimi (apartament) nga person juridik (kompani ndërtimi)
Dokumentet: 1. Kontratë shitjeje, 2. certifikatë pronësie, 3. kartela e pasurisë, 4. planimetri apartamenti
4. Shitje ndërtese për tregti e shërbime nga person juridik (kompani ndërtimi)
Dokumentet: 1. Kontratë shitjeje, 2. certifikatë pronësie, 3. kartela e pasurisë dhe plan-rilevimi
5. Shitje ndërtesa të tjera (B/G/Verandë) nga person juridik (kompani ndërtimi)
Dokumentet: 1. Kontratë shitjeje, 2. certifikatë pronësie, 3. kartela e pasurisë, 4. plan-vendosje e miratuar nga përgjegjësi i seksionit të urbanistikës
7 Maj 2008