E Diel, 1 Nëntor 2026

Rijetoni vitet ’70, xhinse të gjera ose funde të gjata për të qenë në modë



Merita TOÇILA
Në pranverë, “planeti Modë” ka gati një zë unanim. Kudo vihet re një mbizotërim i rikthimit të tendencës të viteve ’70. Natyrisht, veshjet vijnë të rimodeluara për ditët e sotme. Stilistët gjithmonë hedhin vështrimin prapa për të sjellë me një frymë të re modelet e 2008-s. Edhe këtë pranverë mund të shijoni jo vetëm nga vitrinat e dyqaneve, por edhe të përdorni modele të këndshme të krijuara nga emrat më në zë të botës së modës, “Cavalli”, “Dolce & Gabbana”, etj.

Stili bohem
Vërtet kemi rikthim në vitet`70, por mos harroni se asnjëherë nuk duhet tepëruar! Silueta vjen më femërore dhe në gamë më të gjerë nuancash e prerjesh. Larg veshjeve folk, stilistët kanë krijuar modele shumë boheme në pëlhura tepër fine, ku mbizotëron materiali satin dhe mëndafshi. Por kjo i përket më tepër veshjeve të darkës. Si zgjidhet problemi gjatë ditës kur duhet të dalim në rrugë? Përsa i përket veshjeve “Prêt a porter”, tendenca e viteve `70 është më pranë stilit qytetas, që do të thotë më e lehtë për t’u përdorur; Gjejmë të njëjtat tipe në formë, pantallona të gjera e bluza me supe të zbuluara, fustane të gjata me lule të printuara, kanotiere e funde.

Pantallona të gjera dhe funde të gjata
Eshtë e vërtetë, ndonëse ka disa firma që vazhdojnë të hedhin në treg pantallonat “slim”, pantallonat putër elefanti janë tendenca e kohës, mbi të gjitha, në material xhins dhe mundësisht me shtrat të lartë (kuptohet, për disa kjo nuk është e pëlqyeshme). Një siluetë perfekte me pantallona të gjera dhe një kanotiere të ngushtë pas trupit nuk duhet të mungojë në garderobën tuaj të këtij sezoni. Shumë femëror vjen edhe fustani i gjatë në material fluid që nuk duhet ta neglizhoni. Ai mund të jetë njëngjyrësh apo me lule të printuara, e rëndësishme është që duhet ta keni patjetër. Një vërrejtje e vogël për të gjitha ato femra që nuk kanë dëshirë ta ndryshojnë garderobën e tyre nga fillimi deri në fund: Vlen për t`u përmendur fakti se, këtë sezon, tunikat ose bluzat e gjera dhe të lehta do të mbahen përsëri ndaj duhen ruajtur. Mund t’i kombinoni pastaj këto veshje me aksesorë të lehtë, të cilat mund t’i keni blerë edhe vitin e kaluar.

Asnjëherë pa shall, sandale dhe byzylyk
Përsa i përket aksesorëve, mund të mbani aksesorë shumëngjyrësh dhe në materiale natyrore; prej druri, të mpleksur disa herë rreth kyçit të dorës. Mos harroni të vini një palë vathë apo rripa të gjerë metalikë. Por sipas stilistëve, aksesori më i bukur është shalli, i cili mund të mbahet në variante të ndryshme; si piratët ose si luftëtarët. Do të jetë më bukur sikur të kishte mbërrthime me togëz metali ose rrip lëkure. Kjo është tendenca aktuale. Sa për sandalet, të preferueshme janë modelet e sheshta, të cilat mund të shoqërojnë xhinset e gjera ose fundet e gjata, ndërkohë që të tjerat mund të përdorin takat ose modelet me tapë për të qenë më shik.

Pëlhurat fluide, motive florale

Përsa i përket materialeve, pika e fortë e këtij sezoni është fluiditeti. Duhet të gjeni veshje shumë të lehta si pëlhura të holla pambuku, organca ose krepe dhe museline. Mos harroni gjithashtu, të përdorni sa më shumë pëlhura “bio” si pambuku dhe linoja sepse janë më të rehatshmet me ardhjen e ditëve të ngrohta.

Ngjyrat, zgjidhni portokallinë
Pa ngjyrën portokalli nuk ka tendencë të viteve ‘70. Mjafton dhe një aksesor i vetëm me këtë ngjyrë që gjithçka të jetë perfekte. Mund të kombinoni edhe xhinset me bluza ose kanotiere në ngjyrë portokalli. Në fund të të gjithave, nuk është e ndaluar dhe pak fantazi në veshjen tuaj: Shumë dantella, rruaza, temina apo gurë me ngjyra, të cilat dekorojnë veshjen duke ju bërë të jeni më “fashion”. Motivet e pëlhurave është mirë që të jenë të dukshme, pa folur pastaj për pëlhurat me njolla, që janë pëlhurat të cilat zhyten në ngjyra të lidhura dhe kur hapen kanë ngjyrosje të çrregullt e në disa nuanca. Këto pëlhura gjenden edhe në disa modele çantash. Siç e shikoni, pranvera vjen me një gamë të gjerë modelesh, prej nga mund të veçoni ato që u shkojnë dhe pelqejnë më tepër.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›