E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: Pranimet do të bëhen me një raund dhe kuotat që mbeten të parealizuara nuk rishpërndahen

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-06-2011 11:22

Maturantëve që do të konkurrojnë për të fituar një të drejtë studimi në auditorët e universiteteve publike do t’u jepet vetëm një shans për ta bërë ëndrrën e tyre realitet. Këtë vit Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë rregullat e pranimit në universitetet publike, ku, ndryshe nga më parë, pranimet do të bëhen vetëm me një raund dhe kuotat që do të mbeten të parealizuara nuk do të rishpërndahen. “Pranimi i studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik, që arrijnë rezultate kaluese në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të ‘Maturës Shtetërore’, do të bëhet vetëm në një raund dhe mbështetet në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (Merita) si dhe përzgjedhjes së degëve (Preferenca) të bërë nga vetë kandidati/ja. Kuotat që mbeten të parealizuara nuk rishpërndahen”, - përcaktohet në vendimin e Ministrisë së Arsimit për kuotat dhe tarifat. Tashmë, Ministria e Arsimit pritet të përcaktojë nëse ky raund i vetëm pranimi do të ketë po vetëm një fazë të shpalljes së fituesve, apo brenda tij do të jetë edhe një nënfazë tjetër. Sipas rregullit të ri për pranimet në universitet, këtë vit gara për të fituar një të drejtë studimi do të jetë më e ashpër, pasi nëse gjatë viteve të shkuara maturantëve që nuk kanë mundur të shpallen fitues në degën e preferuar, apo nuk janë përfshirë në listat e fituesve, u është dhënë një shans i dytë, i tretë e deri i katërt, për të mos mbetur pa shkollë. Kështu, gjatë pranimeve të mëparshme, në bazë të kuotave vakante që mbeteshin në universitete pas fazës së parë të pranimeve që përkon me atë të regjistrimit paraprak, falë vendeve bosh që rishpërndaheshin, secili prej tyre maturantëve rifutej në konkurrim për të ndryshuar degën e studimit, gjithmonë drejt ngjitjes në preferencat më të larta, ose për të fituar universitetin, për ata që nuk ishin shpallur ende të tillë në bazë të spostimit të listës. Sipas kësaj procedure, mjaft maturantë që nuk ishin shpallur fitues në preferencën e tyre të parë, në fazën e parë të pranimeve, gjatë fazës së dytë në bazë të pikëve të marra dhe vendeve të mbetura bosh afroheshin drejt degës së kërkuar, ndërkohë që nuk kanë munguar as rastet kur maturantët jofitues kanë fituar një degë studimi edhe në fazën e tretë apo të katërt të pranimeve, që kanë qenë pjesë e raundit të dytë. Po ashtu, MASH ka përcaktuar edhe rregullat për maturantët që dëshirojnë t’i ndjekin studimet në degët me konkurs të veçantë pranimi, të cilët përveç kalimit me sukses të katër provimeve të Maturës, duhet të marrin edhe pikët e konkurseve specifike. “Kandidatët që kërkojnë të studiojnë në program të dytë studimi në Universitetin e Arteve, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në programin e studimit të ciklit të parë ‘Edukim Fizik dhe Sporte’ të universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ Shkodër e të universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ Elbasan dhe në programin e studimit të ‘Arkitekturës’ të Universitetit Politeknik të Tiranës, duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit) të vendosura nga vetë këto institucione të arsimit të lartë”, - thuhet në vendim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›