E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia mbledh paret

Serbët e veriut të Kosovës kanë vendosur ta paguajnë energjinë elektrike. Por, jo atë të Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila për 10 vjet i ka furnizuar me rrymë, pa marrë asnjë cent prej tyre. Serbët e Veriut tani kanë filluar t’i paguajnë faturat e Elektroekonomisë së Serbisë. Inkasantët e Serbisë janë parë në veri të Mitrovicës duke shpërndarë fatura të energjisë elektrike në emër të shtetit serb. Këtë e konfirmon edhe kryetari në largim i Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

“Është e vërtetë që Elektroekonomia e Serbisë ka dërguar fatura në emër të vet në Veri. Ne kemi kërkuar që kjo mos të ndodhë”, tha Rexhepi për Express.

Sipas tij, fakti se Veriu po furnizohet me rrymë nga Serbia vërehet edhe në tension. Rryma që vjen prej Novi Pazarit ka tension me të ulët, ku edhe drita është më e dobët. Andaj, sa i përket furnizimit me energji elektrike, Rexhepi thotë se veriu i Kosovës ende nuk është nën juridiksionin e KEK`ut. Ndryshe, e gjithë kjo ka ardhur pas vendimit të KEK`ut për shkyçjen e largpërçuesit në nënstacionin e Vallaçit, që përfshin 17 për qind të territorit të Kosovës, e që është veriu i vendit. Pas kësaj katastrofe humanitare, siç e quanin serbët, atyre u doli në ndihmë Serbia.

Qeveria disa ditë më herët ka kritikuar fort ministren Justina Pula dhe drejtorin Arben Gjuka për shkak të këtij veprimi. Zyra e Kryeministrit u ka bërtitur për këtë veprim, që sipas tyre, ky është më shumë vendim politik.

Prej asaj dite, Elektroekonomia e shtetit fqinj ka ndërhyrë duke e furnizuar Veriun me kapacitet prej 20 megavatësh për orë. Më herët, ndërhyrjen e shtetit serb në Veri e ka pranuar edhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut. E kanë pranuar të gjithë pos Arben Gjukës, i cili ka hedhur në huti edhe vetë qeverinë.

“Veriu i Mitrovicës, përkatësisht nënstacioni i Vallaçit është duke u furnizuar nga linja 110 kv LP 155/2 NS Novi Pazari 2, kurse në kohën e ngarkesës maksimale, një pjesë e furnizimit bëhet nga hidrocentrali i Ujmanit”, pati thënë Arjeta Gashi, zyrtare për informim në KOSTT.

Megjithatë, menaxhmenti i KEK`ut, as në fillim dhe as tash nuk pranon se kjo gjë po ndodh në veriun e Kosovës. Drejtori i kësaj korporate, Arben Gjukaj, thotë se ka pasur disa tentativa, por e gjithë ajo energji elektrike është e KEK-ut.

“Ajo është energji e jona dhe KEK-u paguan për të. KEK-u është e vetmja kompani në Kosovë për furnizim me rrymë, duke përfshirë këtu edhe Veriun”, tha Gjukaj.

Sa u përket faturave të cilat shteti serb po i shpërndan në Veri, Gjukaj nuk e ka mohuar, duke thënë se kjo është në kundërshtim me ligjin. Ai prerazi demanton pohimet se Veriu po furnizohet me rrymë nga Serbia. Madje thotë se energjia elektrike atje është vërtetuar së është e KEK`ut.

Në anën tjetër, Myzejene Selmani, kryetare e Komisionit për ekonomi, energji, tregti.., ka thënë se është tashme fakt i njohur se Veriu po furnizohet me rrymë nga shteti serb. Ajo nuk e ka të qartë se pse menaxhmenti i KEK-ut nuk e pranon këtë.

“Nuk e kuptoj se si menaxhmenti i KEK-ut nuk e pranon që një gjë e tillë po ndodh. Ndoshta drejtori ka nevojë ta vizitojë Veriun dhe të bindet për këtë fakt”, tha ajo.
Selmani është e shqetësuar edhe me Ministrinë e Energjetikës, për të cilën thotë se derisa ka për detyrë t’i bëjë politikat energjetike, nuk mund ta quajë çështjen e Veriut si teknike.

“Elektroekonomia e Serbisë po i furnizon që disa muaj qytetarët e Veriut”, tha ajo.
Ndryshe, KEK-u ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta ndërpresë furnizimin me rrymë në këtë pjesë për shkak të mospagesës nga serbët. Banorët e këtij komuniteti që nga viti 1999 s`e paguajnë rrymën, duke kaluar kështu vlerën e 100 milionë eurove borxhi i tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›