E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR, Bentler: Serbia nuk paraqet kercenim per Kosoven

PRISHTINE- Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler ka thënë se fokusi kryesor i misionit të ristrukturuar të NATO-s në Kosovë do të jetë në veriun e banuar me shumicë serbe, për shkak të “potencialit që ekziston atje për trazira”.

Gjenerali Bentler komandon dhjetë mijë pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë. Ai siguroi se trupat e tij do të mbrojnë integritetin territorial të vendit dhe do të sigurojnë mjedis të sigurtë për të gjitha komunitetet.

Ai bëri të ditur se KFOR-i nuk është pjesë e strategjisë së Prishtinës për integrimin e veriut, me të cilën synohet vendosja e ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.

Komandanti i trupave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë tha se shpreson që problemi i veriut të zgjidhet në rrugë politike, duke përjashtuar përdorimin e dhunës.

“Veriu do të jetë pika kryesore e përpjekjeve tona sepse ne do të shohim shumë potencial për trazira, kështu që unë dua që trupat ta njohin nga afër këtë zonë shumë të rëndësishme”, tha gjenerali Markus Bentler- citon BBC.

Ai sqaroi se manovra të ushtarëve të KFOR-it do të ketë edhe në pjesë tjera të Kosovës për të demonstruar aftësisë e tyre për t’u përballur me çfarëdo situate të mundshme.
Gjenerali gjerman përjashtoi mundësinë që Serbia të paraqesë kërcënim për Kosovën, përkundër ndikimit të saj tek popullata serbe në veri.

“Serbia nuk ka as mundësi, e as synim për t’i bërë ndonjë dëm Kosovës, unë jam pothuajse i sigurtë në këtë”, deklaroi gjenerali Markus Bentler.

Sipas tij, kërcënimi më i madh për sigurinë në Kosovë vjen nga brenda, për shkak të moszgjidhjes së një numri çështjesh politike dhe ekonomike

“Janë disa faktorë që çojnë në frustrim, natyrisht janë çështjet e pazgjidhura politike, veriu, kufijtë, mirëqenia sociale e njerëzve, ekonomia, korrupsioni, krimi i organizuar”, wshtw shprehur komandanti i KFOR-it.

Forca paqëruajtëse e NATO-s u vendos në Kosovë në vitin 1999 pas marrëveshjes së Kumanovës për tërheqjen e forcave të Serbisë. Fillimisht ajo numëronte rreth 50 mijë ushtarë, por numri i tyre u zvogëlua krahas përmirësimit të situatës së sigurisë.

Faza e fundit e pakësimit të trupave të KFOR-it përfundoi pak ditë më parë me tkurrjen e forcës për 4 mijë ushtarë.

Sipas komandantit të kësaj force në Kosovë, gjeneralit Markus Bentler, zvogëlimi i mëtejmë do të varet nga zhvillimet në vend pas qëndrimit që pritet të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
(bbc/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›