E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, të rinj manifestues përleshen me policinë

ATHINë- Disa të rinj hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës sot në orët e para të pasdites në qendër të Athinës, në kuadrin e një manifestimi të mijëra personave të cilët protestonin kundër masave të rrepta ekonomike të qeverisë greke.
Disa të rinj me kaska u përpoqën të largoheshin nga vargu i manifestuesve për t'iu afruar hoteleve të mëdhenj në qendër të Athinës dhe policia përdori gaz lotsjellës për t'i penguar, njoftoi një gazetar i AFP-së.
Të rinjtë, rreth 300 sipas një burimi policor, hodhën më tej bomba Molotov në drejtim të policëve dhe shkaktuan dëme në disa dyqane përpara se të tërhiqeshin drejt universitetit të Athinës, shtoi burimi.
Një person u plagos lehtë dhe u evakuua dhe një i ri u arrestua nga polica.
Më tepër se 10 000 grevistë manifestuan sot në orët e para të mesditës në Athinë dhe rreth 7 000 në Selanik, qytet i madh në veri të Greqisë, mësohet nga burime policore, me rastin e grevës së përgjithshme kundër masave shtrënguese të marra nga qeveria socialiste për përballimin e krizës.
"Të ndëshkohen spekulatorët" dhe "Njerëzit dhe nevojat e tyre janë mbi tregjet dhe përfitimet", ishin disa nga parrullat e vendosura përgjatë trajektores së ndjekur nga grevistët në manifestimin e organizuar në kryeqytet nga Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve, GSEE, me një milion anëtarë dhe Federata e Funksionarëve Adedy, me 300 000 anëtarë, njoftoi një gazetar i AFP-së.

Sipas një burimi policor, në manifestimin në Athinë morën pjesë rreth 10 000 persona.
Fronti i Luftës Sindikale, PAME, që vjen nga partia komunise ultraortodokse, KKE, u ka bërë thirrje anëtarëve të tij të manifestojnë veç e veç dhe mblodhi mijëra militantë në Athinë.

Greqia ishte pothuaj plotësisht e paralizuar sot nga greva e përgjithshme kundër masave qeveritare të shtrëngimit të rripit me qëllim zvogëlimin në mënyrë drastike të deficitit të lartë të vendit dhe që parashikojnë veçanërisht një ngrirje të pagave dhe një rritje me dy vjet të moshës mesatare të daljes në pension, që bëhet 63 vjeç.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›