E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR: Jo marrëveshje me serbët për qarkullimin

  KFOR i mohon të ketë pasur marrëveshje me pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit për qarkullimin e EULEX-it dhe të KFOR-it në atë zonë.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, në një konferencë për shtyp ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe se KFOR-i së bashku me strukturat paralele të pjesës veriore të Mitrovicës kanë arritur marrëveshje për qarkullimin e automjeteve të EULEX-it dhe të KFOR-it.
Zëdhënësi ka thënë se gjatë bisedave dhe takimeve me pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit, kur KFOR-i e ka kuptuar se në atë takim pritej të flitej për orarin e lëvizjes së kësaj force, përfshirë këtu edhe numrin e automjeteve të EULEX-it, atëherë KFOR-i është larguar nga ai takim dhe, sipas tij, kjo për ta është e papranueshme.

“Është e çuditshme për ne se si menjëherë pas deklarimit për media të ndonjë prej anëtarëve të komunave të veriut të Kosovës, ajo deklaratë do të shtypet dhe publikohet pa ndonjë konfirmim nga një burim dytësor. Madje ajo është kopjuar nga mediat tjera gjithashtu. Nuk ka marrëveshje dhe asnjëherë nuk ka pasur të tillë në të kaluarën!

Përfaqësuesit e KFOR-it u larguan nga bisedimet të premten kur u kuptua se pjesëtarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit doni të diskutonin vetëm për orarin e lëvizjes së KFOR-it, përfshirë numrin e automjeteve të EULEX-it apo edhe kohën brenda ditës. Kjo është e papranueshme. Mandati i KFOR-it është të sigurojë liri të pakushtëzuar të lëvizjes. Prandaj KFOR-i nuk ka negociuar, nuk e bën dhe nuk do të negociojë asgjë në lidhje me lirinë e lëvizjes”, ka thënë Novicki. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›