KFOR: S'ka arsye të kërkojmë falje
(E plotësuar) KFOR-i ka demantuar se ndonjë këshilltar i Komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, u ka kërkuar falje serbëve në veri "për gjithçka që ka ndodhur në ditët e fundit”, sikur kanë raportuar mediet serbe.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wchter, rreptësisht kundërshton raportin ku thuhet
që një këshilltar politik i Komandantit të KFOR-it i ka kërkuar falje z. Kërstimir
Pantiqit të Mitrovicës për deklaratat e supozuara.
"Nuk është e vërtetë që një Këshilltar Politik i Gjeneralit Bühler ose një person tjetër i autorizuar i ka komunikuar një kërkim falje z. Pantiqit. Kjo është tërësisht një shpikje. Nuk ka arsye për të kërkuar falje si ndaj z. Pantiqit ashtu as ndaj dikujt tjetër në anën e Serbëve ose të Kosovarëve", thuhet ne reagimin e KFOR-it.
"Komandanti i KFOR-it është i paanshëm dhe gjithmonë ka vepruar në pajtim me detyrën e tij për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të lëvizjes në mbarë Kosovën dhe për të gjithë njerëzit në Kosovë. Gjatë dy javëve të fundit falë angazhimit të tij të paanshëm është ruajtur paqeja dhe janë shmangur shpërthime të mëdha të dhunës", thekson KFOR-i.
KFOR-i ka kërkuar falje!
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që dje ishin në Beograd, u kanë bërë thirrje qytetarëve në barrikada që duhet “të jenë me shtetin edhe nëse diçka nuk u pëlqen”.
“Kemi marrë premtimin se shteti do të na mbrojë dhe detyra jonë është që të jemi të qetë dhe unik”, ka thënë kryetari i të ashtuquajturës komunë të Mitrovicës, Krstimir Pantic.
“Shteti i Serbisë ka qëndruar fuqimisht me ne dhe na mbështetë në atë që bëjmë”, ka thënë Pantic.
Pas kthimit nga Beogradi, ku me përfaqësuesit e serbëve të veriut ka biseduar me presidentin serb Boris Tadic, ai u ka thënë qytetarëve të mbledhur në Rudare se presidenti Tadic “qëndron fuqimisht pas popullit të vetë dhe se nuk do të lejoj që dikush me dhunë të realizojë qëllimet në veriun e Kosovës”.
Ai ka shtuar se në mëngjes e ka thirrur këshilltari i komandantit të KFOR-it, i cili “i ka kërkuar falje atij dhe popullit të tij për gjithçka që ka ndodhur në ditët e fundit”.
“KFOR-i kështu ka pranuar se ka gabuar që është vënë në anën e shqiptarëve të Kosovës.
Jam i sigurt që në të ardhmen KFOR-i do të sillet më me kujdes dhe do të ketë vigjilencë kur është fjala për kalimet administrative”, ka thënë Pantic, raporton “B92”.
Kryetari i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës, Radenko Nedeljkovic, ka thënë se “president serb na ka lutur që të protestojmë vetëm në atë mënyrë që të mos biem pre e propagandave dhe luftës psikologjike që po e bënë Prishtina dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”.
Ai ka lutur qytetarët që të kenë besim te përfaqësuesit e tyre, duke garantuar “se do të fitojnë”.
“Kemi thënë se do të marrim vendim unik, që KFOR-it tua mundësojmë lirinë e lëvizjes”, ka thënë ai, duke shtuar se populli do të qëndrojë në barrikada, që të “ndaloj çdo tentim të ROSU-s dhe KFOR-it për të marrë pikat kufitare”. (Telegrafi)