E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër dilerëve të drogës, 23 vjet burgim

Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 17:38

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka dënuar me rreth 23 vjet burgim dhe 35 mijë euro gjobë katër persona të akuzuar për përfshirje në krim të organizuar, shitblerje të narkotikëve dhe posedim apo përdorim ilegal të armëve.

Një trup gjykues i përbërë nga gjykatës kosovarë dhe të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 5 gusht 2011 nxori aktgjykimin kundër Anton Sylës, Villson Drenit, Driton Sylës dhe Antal Vargës, njoftoi sot EULEX-i, nëpërmes një komunikate shtypi.

Të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krim të organizuar, por që të katërtit u shpallën fajtor për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paligjshme të substancave narkotike të rrezikshme.

Përveç kësaj, Anton Syla dhe Villson Dreni u shpallën fajtor për veprën penale, pronësi, kontroll, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve.

Anton Syla u dënua me shtatë (7) vite burgim dhe me gjobë prej 10.000 €, Villson Dreni me gjashtë (6) vite dhe tre (3) muaj dhe 9.500 €, Driton Syla me pesë (5) vite dhe 8.000 €, dhe Antal Varga me katër (4) vite dhe gjashtë (6) muaj dhe 7.000 €.

Të akuzuarit kanë afat prej 15 ditësh të ankohen kundër këtij vendimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›