KFOR heq një bllokadë nga veriu

Pjesëtarët e KFOR-it të premten pasdite kanë larguar një barrikadë të vendosur nga serbët e rebeluar në afërsi të vendkalimit kufitare Jarinje, bëjnë të ditur burimet e Kosovapress-it.
Sipas këtyre burimeve deri te largimi i barrikadës ka ardhur pasi që ushtruesi i detyrës së UNMIK-ut, Farid Zarif ka biseduar me serbët për largimin e barrikadave.
Serbët tash kanë bllokuar magjistralen që çon drejt Jarinjes me dy kamionë, me qëllim të pengimit të qarkullimit të automjeteve të KFOR-it në brendi të territorit të Kosovës.
U.d. i shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif ka biseduar gjatë ditës me serbët për të larguar barrikadat në Jarinje, por këta të fundit kanë refuzuar të bëjnë një gjë të tillë.
Vetëm dhjetë minuta pas vizitës së Zarif në Jarinje, KFOR-i me një aksion të shpejtë ka zgjeruar zonën e sigurisë në këtë vendkalim kufitar, duke hequr barrikadën e vendosur nga serbët e rebeluar në natën ndërmjet 15 dhe 16 shtatorit.
KFOR-i ka vendosur shenja paralajmëruese në zonën e zgjeruar të sigurisë dhe përmes megafonit paralajmëron serbët e rebeluar që të mos i afrohen kësaj zone.
Ndryshe, sot më herët, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it serish para tunelit në afërsi të Jarinjes kanë ndaluar trenin i cili qarkullon në relacionin Kralevë-Zveçan, me qëllim të kontrollit.
Treni në relacionin Kralevë-Zveçan qarkullon dy herë në ditë, në mëngjes dhe pasdite.