Tri shqetësimet e BE-së për Kosovën

Raporti aq i pritur dhe i përfolur i Komisionit Evropian për Kosovën, si dhe vendet e tjera të përfshira në paketën e zgjerimit tashmë është shkruar dhe kopjet e tyre janë duke qarkulluar në mënyrë interne në Komisionin Evropian.
“Koha Ditore“ ka arritur të shohë pjesë nga këto raporte, të cilat bëjnë të qartë në disa raste progres, por po ashtu rikonfirmojnë shqetësimet e mëdha për gjendjen kritike në disa fusha, si sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, tenderimi publik dhe sidomos gjendja e vështirë në lirinë e shprehjes.
Natyrisht se fjala është për drafte, të cilat në një masë ende mund të pësojnë ndryshime, sepse për to do të diskutohet së paku edhe në tri takime të ndryshme në Komision para se të miratohen.
Ajo që kosovarët më së shumti presin si ndonjë lajm të vogël pozitiv është se çfarë do të rekomandojë Komisioni Evropian rreth mundësisë së nisjes së dialogut për vizat.
Rekomandimi ende është pjesë në Raport, ku më vonë pritet të shkruhet porosia, por nga pjesa e draftit fitohet përshtypja se Komisioni, ndonëse me dy vjet vonesë, më në fund do të mund të hapë rrugën për nisjen e dialogut të vizave.
Kjo mbase mund të jetë edhe njëra ndër pikat sado pak pozitive në raport, krahas lëvdatave për miratimin e një numri të kufizuar ligjesh. Pjesë të tjera vazhdojnë të jenë shqetësuese për Kosovën dhe tregojnë se në këtë shtet të ri dukuritë negative vazhdojnë të jenë dominuese ndërsa progresi, aty ku ka, është i paktë.
Komisioni Evropian në raportin e këtij viti draftin e hershëm të së cilit e ka parë “Koha Ditore”, ka kritikuar Kosovën në shumë fusha për mungesë reformash, por në disa raste për këtë e ka fajësuar edhe procesin e tejzgjatur zgjedhor. Ndërkohë edhe vetë procesi zgjedhor ka hasur në kritika në këtë Raport të progresit. (Koha)