E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i dhe EULEX-i ‘vigjilent’ për zyrën në veri

Vlerësojnë se hapja e Zyrës Administrative në veri të Kosovës është para së gjithash çështje politike, por premtojnë se do t’i mbështesin autoritetet e Prishtinës në rast se rrezikohet funksionimi i saj.

Dy misionet ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-i dhe EULEX-i, janë shprehur të gatshëm që t’i dalin në krahë institucioneve të Kosovës, në rast se përkeqësohet situata e sigurisë, gjatë vendosjes së Zyrës e cila ka si qëllim ofrimin e shërbime për qytetarët e asaj ane nga institucionet e Kosovës. Zyrtari për informim në KFOR, major Mark Shtunblau ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare” se KFOR-i është informuar se do të hapet një zyrë në veri, por nuk është konsultuar apo koordinuar me Qeverinë.

Sipas tij, hapja e zyrës administrative ka motive politike, prandaj KFOR-i nuk është i përfshirë aspak në këtë aspekt. Duke i komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, se zyra administrative në veri do të mbrohet edhe me forcë, Shtunblau ka deklaruar se nëse ambienti nuk kërcënohet, atëherë KFOR-i nuk do të ndërhyjë.

Edhe zyrtarë të EULEX-it thonë se nuk janë konsultuar nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Kosovës. Megjithëkëtë, EULEX-i shprehet i gatshëm t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në çështjet e sigurisë. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerm Krasniqi ka thënë për “Tribuna Shqiptare” se edhe pse EULEX-i nuk luan ndonjë rol të drejtpërdrejt, pasi ajo Zyrë është më shumë çështje politike, ata do t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës në çështjet e sigurisë

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›