Topi i kërkon Kuvajtit të lobojë për Kosovën, tek vendet arabe

Zv/kryeministri kuvajtian vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e ngushtë e shumëplanësh mes dy vendeve tona, duke vënë në pah mbështetjen e pakursyer të Kuvajtit për realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë, për zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të saj.
Presidenti Topi theksoi bindjen jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe dhe shtimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, por edhe besimin se Shteti i Kuvajtit do të vazhdojë ta konsiderojë Shqipërinë si partnerin e vet strategjik në Ballkan.
Presidenti Topi dhe zv/kryeministri kuvajtian ndanë të njëjtën pikëpamje për sa i përket situatës në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë, duke nënvizuar faktin se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njohjes së saj nga mjaft vende të botës, përfshi ato arabe e veçanërisht Kuvajtin, dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumetnik të Kosovës, që respekton të gjitha të drejtat e pakicave, rajoni ballkanik duhet të projektojë të ardhmen e tij të sigurt e të qetë në Bashkimin Evropian.
Presidenti Topi, duke marrë parasysh nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve dhe dialogut politik midis dy vendeve, si dhe peshën specifike që Shteti i Kuvajtit ka në politikë-bërjen e rajonit të Lindjes së Mesme dhe në botën arabe, i kërkoi zv/kryeministrit kuvajtian intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për lobimin tek vendet e tjera arabe dhe anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.