E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i organizon koncertin bamirës

Në Prishtinë sonte mbahet koncerti bamirës i KFOR-it, nën patronatin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, cili ka për qëllim përkrahjen e projekteve në Kosovë si iniciativa kundër kancerit të gjirit dhe uji i pastër dhe i sigurt për shkolla me mungesë të ujit. Koncerti bamirës, do të transmetohet drejtpërdrejtë në Radio Televizionin e Kosovës.

Koncerti bamirës i KFOR-it ka për qëllim mbledhjen e fondeve për përkrahje të projekteve në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR-it Uve Novicki tha se fondet do të mblidhen për dy projekte, të cilat do të ndihmojnë qytetarët.

“Ne jemi duke ngritur fonde për dy projekte. Njëra ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes për kancerin gjirit që po prek shumë gra aktualisht. Pastaj me trajtimin atyre që janë të prekura nga kanceri i gjirit dhe ngritjen e vetëdijes së familjeve të tyre. Projekti tjetër ka të bëjë me furnizimin me ujë. Janë aktualisht rreth 50 shkolla në Kosovë që nuk kanë fare ujë. Me këtë projekt ne synojmë të investojmë në shpuarjen e vendeve të ndryshme në kërkim të ujit në mënyrë që nxënësit të kenë ujë në të ardhmen”, thotë Novicki.

Zëdhënësi Novicki tregon edhe disa rrugë se si mendohet të sigurohen fondet.

“Gjithashtu kërkojmë edhe ndihmën e njerëzve në Kosovë. Duke dërguar SMS në numrin 55 044, gjithashtu, njerëzit mund t’i ndihmojnë kësaj nisme. Gjithashtu, presim ndihmën e PTK-së , Zyrës së Presidentes, Ambasadës gjermane dhe vetë pjesëtarëve të KFOR-it që janë të motivuar”, ka thënë Novicki.

Koncerti bamirës mbahet nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa do të jenë të ftuar ambasadori gjerman në Kosovë, Pier Blomejer, komandanti i KFOR-it Wolker Halbauer e të tjerë.
Kjo nismë humanitare e KFOR-it do të zgjas deri më 17 mars. Ky koncert është i dyti më radhë i organizuar nga trupat paqeruajtëse që synon të bëhet tradicional./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›