Rreshtat e gjatë në ofiqarin Prishtinës zvogëlohen javën e ardhshme

Gjendja në sektorin e ofiqarisë në Komunën e Prishtinës, pritet të stabilizohet gjatë javës së ardhshme. Kështu thonë zyrtarët komunalë. Ndërsa, qytetarët, janë të shqetësuar tej mase me pritjet e gjata për një dokument.
Sistemi i ri i të dhënave në Komunën e Prishtinës, e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ka për qëllim që të bëjë verifikimin dhe filtrimin e të gjitha të dhënave për qytetarët e Kosovës, pritet të stabilizohet tërësisht gjatë javës së ardhshme.
Drejtori i administratës në komunë, Edon Myftari thotë për Radio Kosovën se zyrtarë të ministrisë kanë bërë përmirësimet e nevojshme në sistem.
“Kemi pas një takim me zyrtarë të MPB-së me të cilët kemi diskutuar në detaje aspektin e problemeve që e kemi dhe pse nuk po printohen këto certifikata me sistem të ri. Është intervenuar dhe shumicën e rasteve nuk po ka probleme siç ka pas javën e ardhshme dhe po shpresoj që do të vazhdojë kështu edhe në ditët në vijim”, thotë Myftari.
Ai mohon se një problematikë e tillë të jetë bërë për shkaqe politike:
“Ky është një sistem të cilin BE e ka bërë për Kosovën, ky sistem është një kriter të cilin ne duhet ta përmbushim dhe në këtë aspekt si përfaqësues i nivelit lokal në Prishtinë apeloj tek MPB-ja të na ndihmojë, që qytetarët të mos e paguajnë pritjen dhe frustrimin”.
Por, qytetarët që presin me orë të tëra aty për një dokument, janë të mllefosur me këtë problematikë të krijuar.
Komuna e Prishtinës, ka marrë vendim që shërbimet t’i ndajë edhe në katër bashkësi lokale, ku në shërbimet e gjendjes civile, do të kryhen dokumentet dhe do të nxirren në bazë të librave dhe viteve të lindjes.