KFOR i rikthehet operacioneve në Veri, vendoset kontrolli në Jarinjë
Sot në mëngjes, KFOR-i dhe EULEX-i filluan operacionet e përbashkëta për vendosjen e kontrollit në rrethinën e portës në Jarinjë, njoftoi zyra për informim e KFOR-it.
KFOR-i thuhet se filloi operacionin me kërkesë të EULEX-it “për të ndihmuar në parandalimin e përdorimit ilegal të rrugës anësore rreth portës zyrtare dhe të ndalojë kontrabandën”.
Misioni i NATO-s në Kosovë vlerësoi se porta në Jarinjë është e hapur dhe “duhet të përdoret”.
“KFOR-i ka të drejtë të largojë barrikadat kur rrethanat të jenë të përshtatshme dhe nuk do t’i tolerojë ato përgjithmonë.
Qytetarët duhet të rrinë larg bllokadave të rrugëve dhe barrikadave dhe nuk duhet të marrin pjesë në protesta dhe aktivitete ilegale”- citon komunikata e KFOR-it komandantin e misionit, Erhard Drevs.