Opinioni i KE, Topalli: Rama dëmtoi interesat e mbarë shqiptarëve

Progres-raporti i Komisionit Evropian i dorëzohet kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, i dorëzoi sot progres-raportin e Brukselit për Shqipërinë, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja tha se progresi i vendit u pengua nga roli destruktiv i Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, i cili për interesa personale, dëmtoi interesat e mbarë vendit. Sipas saj, bojkoti ishte një strategji e mbrapshtë që kishte si synim të pengonte procesin e anëtarësimit të vendit. “Opozita me bojkotin dhe bllokimin po dëmton Shqipërinë. Si Kryetare e Kuvendit dhe si politikane ndihem keq që për interesat personale të dikujt, të dëmtohen qytetarët”- u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit garantoi ambasadorin e BE-së se progres-raporti i Komisionit Evropian do jetë axhendë pune për Kuvendin e Shqipërisë.
“Progres raporti do të jetë axhenda e parlamentit dhe çdo kapitull i tij do të lexohet me vëmendje. Ligjet e kërkuara do të jenë gjithmonë në rend të ditës dhe çdo çështje e ngritur do të jetë platformë e punës sonë”- tha ajo.
Ndërsa nga ana e tij, ambasadori Sequi theksoi se Integrimi, është dhe duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar. “Ne mbetemi të gatshëm, të punojmë së bashku për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian”- shprehu dhe njëherë kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.
Raporti do u dorëzohet krerëve të grupeve parlamentare, të cilëve Topalli i ftoi edhe një herë të punojmë së bashku për reformat dhe ligjet integruese.
Komisioni Europian publikoi dje progres raportin për Shqipërinë ku vendi ynë humbi sërish një tjetër mundësi për të marrë statusin e vendit kandidat. Pa e vënë në dyshim atë që është në thelb të Opinionit të KE-së për këtë vit, Partia Socialiste i faturoi vetes dhe axhendës së saj të shkatërrimit, fajin e dytë brenda dy viteve, për mos marrjen e statusit të vendit kandidat. Bojkoti i Parlamentit dhe bllokimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, ishin gjetjet e “eficencës” politike të opozitës, për të kënaqur interesat personale të Edi Ramës, me humbjen e shansit të dytë të Shqipërisë.