Kuvend, Berisha: Politika bllokuese e opozitës do ndëshkohet në 2013-ën, mazhoranca do fitojë me 313 mijë vota më shumë

- Opozitë qesharake, shmang në mënyrë të turpshme llogaridhënien para shqiptarëve për bllokimin e integrimit
- Shefi i mazhorancës fton opozitën për bashkëpunim në funksion të reformës zgjedhore si dhe diskutimeve për rregulloren e Parlamentit. Duke prezantuar ofertën e konsensusit, Berisha tha se mazhoranca s’mund të diktojë opozitën, pasi për këtë të fundit do flasin shqiptarët në 2013-ën, ku fitorja e koalicionit do jetë me 313 mijë vota më shumë
UPDATE- Kuvendi i Shqipërisë nisi sot seancën e radhës plenare me diskutime për progres-raportin e Komisionit Evropian, për Shqipërinë. Mazhoranca bëri përgjegjëse opozitën për mos marrjen e statusit të vendit kandidat edhe për këtë vit. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Sali Berisha garantoi se Qeveria do bëjë gjithçka që procesi i integrimit evropian të vendit, të jetë një proces i pakthyeshëm. “Kjo qeveri do të bëjë gjithçka që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të jetë i pakthyeshëm dhe për ta afruar vendin tonë drejt tij. Por që shqiptarët ta gëzojnë këtë proces me dinjitet, duhet që secili prej tyre ta marrë si një proces të bazuar në meritë dhe performancë”- u shpreh Berisha. Ai tha se Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshëm drejt afrimit me vendet e zhvilluara të perëndimit, teksa vetëm me rritjen e pagave dhe pensioneve, vendui ynë ka lënë pas 3 vende anëtare të BE. “Pikërisht se kemi ndjekur standardet, ne ia kemi arritur që me rritjen e pagave dhe të pensioneve ne të lëmë prapa 2-3 vende të BE-së. Se kemi ndjekur këto standarde, ne kemi sot në sistemin tonë arsimor, nivelet më të larta të rekrutimit në Evropë dhe në botë. Se kemi ndjekur këto standarde, Shqipëria arriti nivele të jashtëzakonshme ekonomike. Se kemi ndjekur këto standarde, renditemi sot në një nga vendet që garanton më mirë se të tjerët, investimet e huaja në vend. Se kemi ndjekur këto standarde, ia kemi dalë që eksportet e këtij vendi të 3-fishohen në pak vite. Se kemi ndjekur këto standarde, Shqipëria sot është sot anëtare e NATO-s dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Ky është zotimi ynë”- deklaroi Berisha.
Por sipas tij, ka edhe një realitet tjetër, ai që fal opozita. E cila sipas Kryeministrit voton kundër rritjes së pagave dhe pensioneve; kundër uljes së taksave; kundër gjërave që përmirësojnë jetën e qytetarëve. “Opozita e miliarderëve voton kundër rritjes së pensioneve, kundër uljes së taksave, ndihmës ekonomike. Këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5-at, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve të votuara në këtë sallë. Sepse e keqja juaj është e mira e tyre, ata duan të fërkojnë duart me varfërinë, pensionet tuaja të ulëta e izolimin tuaj. Unike në historinë e Europës që një opozitë nga mëngjesi deri në darkë lufton kundër vizave si përpjekja më diabolike që u bë, për të justifikuar turpin e tyre kur vetë lëvizin me pasaporta diplomatike”- tha Kryeministri, ndërsa përsëriti dhe njëherë ftesën për bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit. “Mbetet i vendosur dhe i hapur për bashkëpunim konstruktiv me opozitën, mbi bazën e parimeve të shpallura. Në doni të ulemi për reformën zgjedhore, jam absolutisht dakord; në doni për reformën e rregullores jam përsëri absolutisht dakord. Nëse nuk doni, hartoni të gjitha amendamentet, çojini në Komisionin e Venecias dhe hajde t’i miratojmë. Mbetem konstruktiv mbi parimet, por jam i bindur se nuk ju lë kryetari, i cili ka interesa personale. Unë nuk kam asgjë me asnjë nga fëmijët, por kur ata manifestojnë sjelljen e etërve komunistë, për këtë reagoj. Kryetari juaj i thotë “Jo” gjithë botës dhe bën letra të pështirosura. Nëse doni të uleni për reformën zgjedhore apo të rregullores jam dakord. Harrojeni ju dhe Rama që atë që s’merrni dot me votë, ta merrni me tryezë. Sa për rregulloren e Kuvendit, nuk do të ndodhë kurrë që të eliminojmë parlamentarizmin. Ne, nuk ju diktojmë asgjë, por kjo është oferta jonë. 2013 vjen shumë shpejt dhe ne do t’ju japin 313 mijë vota më pak. Vazhdoni bërtisni, rroftë kryetari”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Bregu: Rama i bëri shqiptarët të ndjehen keq
“Qytetarët shqiptarë dje u ndjenë keq me publikimin e Progres-Raportit të Komisionit Evropian dhe kjo për faj të opozitës”. Kështu u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, sot në seancë plenare, duke komentuar rezultatet e këtij dokumenti të publikuar dje për Shqipërinë dhe vendet e tjera që aspirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian. “Statusi i kandidatit për Shqipërinë, u refuzua nga bojkoti i opozitës. Eshtë kjo opozitë që ka refuzuar të votojë ligje disa herë me radhë. Përgjegjësia për drejtimin e këtij vendi është e mazhorancës, por ajo e bllokimit të votimit të ligjeve në Kuvend, është e opozitës. Ju vazhdoni të ndërtoni bllokun tuaj neo-komunist, por 94 përqind e shqiptarëve që aspirojnë Bashkimin Evropian, do ta rrëzojnë atë”- deklaroi ministrja Bregu.
...