E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për mitmarrje pedagogut të Juridikut

Universiteti i Shkodrës

Profesori i dyshuar jepte prej 16 vjetësh lëndën E Drejta Penale

Shkodër, arrestohet Fran Qafa, mori ryshfet nga studenti.

Një pedagog i Fakultetit Juridik në Universitetin e Shkodrës u arrestua dje me akuzën e mitmarrjes nga studentët që jepnin provimet e sezonit në lëndën e tij.
Fran Qafa, 56 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Arrëz, është arrestuar nga Njësia Task-Force Antikorrupsion dhe Policia e Shkodrës pas denoncimeve të bëra ndaj tij për marrje ryshfeti. Aksioni për vendosjen në pranga të pedagogut u zhvillua ditën e djeshme në orën 14:00. Agjentët e Antikorrupsionit kanë ndërhyrë në një nga lokalet pranë Fakultetit duke i vënë prangat të dyshuarit, i cili jepte mësim në lëndët së Drejtës Penale dhe Penale e Posaçme te Juridiku i Shkodrës. Burimet zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë thënë se 56-vjeçari Fran Qafa ra në pranga në ambientin ku kishte lënë takim me studentin, të cilit i kishte kërkuar paratë për ta kaluar në provimin e këtij sezoni. Pikërisht denoncimi i bërë nga ky student e më pas edhe nga disa të tjerë, ka qenë pikënisja e hetimeve të policisë ndaj pedagogut që thuajse çdo ditë shkonte të jepte mësim në Universitetin e Shkodrës duke udhëtuar nga Fushë-Arrëzi ku kishte vendbanimin. Menjëherë pas arrestimit të pedagogut ditën e djeshme, Policia e Shkodrës ka thënë se ka paraqitur në Prokurori për të bërë kallëzim studentin të cilit i ishin kërkuar paratë, por edhe disa të rinj të tjerë që kanë pohuar thënie akuzuese për shtetasin Fran Qafa.
Arrestimi
Një student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik ka qenë autori i denoncimit të bërë në polici ndaj pedagogut Fran Qafa. Ai mësohet se kishte 16 vjet që jepte mësim në profilin e tij pedagogjik në Juridik. Ditën e djeshme, pas përfundimit të punës në universitet, pedagogu 56-vjeçar, sipas Policisë, ka lënë të takohet me studentin që i kishte kërkuar para për notën kaluese në provim. Sipas agjentëve të Policisë, shuma nuk bëhet e ditur, por vlerat e kërkuara nga pedagogu mësohet se kanë qenë të konsiderueshme. Burime nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se pedagogu Fran Qafa ishte në hetim prej kohësh, pasi kanë qenë disa ankesa të studentëve të Fakultetit Juridik në lidhje me presionet që pedagogu u bënte atyre për marrjen e provimeve kundrejt pagesave të ndryshme. Policia është vënë në ndjekje të pedagogut dhe po hetonte rastin e fundit të studentit të vitit të dytë për të bërë të mundur arrestimin në flagrancë. Arrestimi i pedagogut është mundësuar pikërisht nga studenti që pasi ka marrë kontakt me Fran Qafën, ka vënë në dijeni policinë për vendtakimin dhe detajet e tjera të nevojshme, në mënyrë që agjentët të ndërhynin në kohën e duhur. Ndaj pedagogut të Juridikut mësohet se janë kryer edhe disa përgjime të autorizuara. Efektivat e Policisë që kanë marrë në mbikëqyrje lokalin ku ndodhi ngjarja, kanë pritur derisa studenti i ka dorëzuar paratë pedagogut dhe në këtë kohë kanë ndërhyrë duke bërë edhe arrestimin në flagrancë. Në momentin e arrestimit të dyshuarit iu gjet e gjithë shuma që ai kishte marrë prej studentit, kanë thënë burimet e Policisë.
Pedagogu
Pedagogu Fran Qafa, i cili banon në Fushë-Arrëz, jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë, në universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, që nga hapja e tij në vitin 1994. Fran Qafa ishte pedagog i së Drejtës Penale dhe këtë lëndë e jepte në e vitin e dytë të Fakultetit, si dhe në vitin e parë të masterit. Sipas të dhënave nga Policia, i arrestuari është djali i xhaxhait i kryetarit aktual të Bashkisë Fushë-Arrëz, Alfred Qafa. Ditën e djeshme, pas arrestimit në flagrancë, 56-vjeçarit mësohet se i janë komunikuar akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Precedenti në Korçë
KORÇE Pak javë më parë, në Korçë, policia ngriti akuzë ndaj një pedagoge, e cila dyshohet se i detyronte studentët të paguanin për ti kaluar në provime. Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për pedagogen e Infermierisë, Elda Nuni, si dhe për nënën e saj të moshuar, e cila besohet se ka luajtur rolin e sekseres. Sipas Policisë, studentët dyshohet se i çonin në shtëpi zarfet me lekë për të marrë provimin. Inicialet sipër zarfit dhe të paktën 5 mijë lekë në brendësi të tij kanë qenë mënyra e vetme që duhet të përmbushnin studentët e Fakultetit të Infermierisë për të marrë provimin e tyre. Ndaj pedagoges Elda Nuni ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Penalisht në gjendje të lirë do të ndiqet edhe nëna e pedagoges, e cila ka qenë ndërmjetësuesja për realizimin e aferave që kryente vajza e saj, bënë të ditur burime zyrtare të Policisë së Korçës. Në banesën e pedagoges 45-vjeçare janë gjetur rreth 11 zarfe dhe 46 mijë lekë në brendësi të tyre në shuma të ndryshme, si dhe me inicialet respektive sipër, ka thënë Policia.

Anketa e Këshillit Studentor
Sondazhi: Juridiku, më i korruptuari
Këshilli Studentor pranë Universitetit të Shkodrës, paraditen e djeshme ka publikuar rezultatet e një sondazhi në lidhje me korrupsionin në këtë institucion arsimor. Pyetjes se a keni dhënë qoftë dhe vetëm një herë para (lekë) për të marrë një lëndë, u janë përgjigjur pozitivisht 74 për qind e studentëve, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet, thuhet në pasqyrimin e rezultateve të sondazhit. Sipas anketës në fjalë, Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88 për qind të studentëve që kanë pranuar dhënien e ryshfetit kundrejt 58 për qind në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja që pretendohet se ka nivelin më të ulët të korrupsionit. Në lidhje me kushtet në sallat dhe auditorët e universitetit «Luigj Gurakuqi», 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, sipas sondazhit, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Sipas Këshillit Studentor, Fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve shprehen se kushtet janë përmirësuar. Pyetësori ka përfshirë edhe rolin e medias, ku 40,3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës  shprehen se media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë, 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e fenomenit të korrupsionit, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit. Në pyetësor u përfshinë 300 studentë, nga 50 për secilin nga fakultetet e Universitetit të Shkodrës.

RITVAN DIBRA / Shkodër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›