Bie autobusi: Na goditi një makinë, shpëtuam nga pemët

AUTOBUSI I ALEANCES KUQEZI I AKSIDENTUAR DJE NE QAFE-KERRABE
Autobusi me 36 aktivistë të AK rrëzohet në Qafë-Kërrabë, 5 veta me plagë në spital. Rrëfimi i dëshmitarëve e të plagosurve.
Dëshmitarët: Na goditi një makinë. Shoferi humbi kontrollin dhe doli nga rruga, 5 rëndë.
Përfundon në greminë, plagosen delegatët e Librazhdit.
Përfundon me një ngjarje të rëndë Kongresi i parë i Aleancës Kuqezi në Tiranë. Autobusi me të rinj nga Librazhdi, të cilët kishin qenë pjesë e aktivitetit në kryeqytet, doli nga rruga në Qafë-Kërrabë, në zonën e njohur si “Qershitë”, duke lënë të plagosur 35 pasagjerët e tij.
Ka qenë ora 16:45 kur autobusi humbi kontrollin e mjetit e, për pasojë, ra rreth 30 metra në greminë. Ngjarja u bë menjëherë alarmante nga udhëtarët e rastit që po udhëtonin drejt Elbasanit dhe anasjellas. Forca të shumta policie, bashkë me pesë autoambulanca dhe tre mjete zjarrfikëse, shkuan me urgjencë në vendngjarje për të shpëtuar personat që ndodheshin në thellësi të greminës. Në kodrat e Kërrabës fluturonte dhe një helikopter, pasi ende nuk dihej nëse kishte viktima apo të plagosur rëndë. Me shpejtësi u nxorën në rrugë pasagjerët dhe shoferi, të cilët u transportuan drejt Urgjencës së Spitalit Kirurgjik në Elbasan. Të 36-të personat që ndodheshin në autobus u morën në kontroll nga mjekët, prej të cilëve u konfirmua se pesë kishin nevojë për terapi intensive. Nga dëshmitë e vetë pasagjerëve të autobusit me targë LB 31 56 dyshohet se një mjet tip “Land Rover”, me targë të Tiranës, në tentativë për të parakaluar mjetin me delegatë, e ka goditur dy herë. Goditja e parë, sipas tyre, ka qenë në mes, në pjesën e majtë të autobusit, ndërsa tjetra në afërsi të gomës së parë, në krahun e shoferit. Ndërsa dëshmitarët thonë se fuoristrada ishte me shpejtësi, vetë drejtuesi i mjetit, 43-vjeçari Mit’hat Biçaku, nuk ka mundur të mbajë kontrollin. Gjurmët e lëna në asfalt dhe deklarimet e marra tregojnë se shoferi ka tentuar të frenojë, por drejtimi i ka dalë nga kontrolli dhe gomat kanë dalë nga rruga, duke u përmbysur në krahun tjetër të aksit, në greminë. Pasi policia e Elbasanit ka marrë në pyetje pasagjerët e aksidentuar, nëpërmjet një komunikate për shtyp deklaron se ende nuk ka një shkak të saktë pse ndodhi aksidenti i rëndë. Sipas saj, për arsye hetime është ndaluar drejtuesi i mjetit me akuzën e humbjes së kontrollit të autobusit. Vetëm ekspertiza që do të kryhet nga specialistët pritet që të japë përgjigje mbi shkakun e aksidentit të rëndë. Nga ana tjetër, grupi hetimor nuk prononcohet mbi dyshimet nëse shkaktari kyç i aksidentit ka qenë mjeti fuoristradë që tentoi parakalimin e autobusit në një zonë me kthesa dhe terren të pjerrët. Për shkak të errësirës së mbrëmjes, ekspertët ndërprenë punën për të rifilluar mëngjesin e sotëm. Burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit thanë se puna është mjaft voluminoze dhe e vështirë për të dhënë në një kohë të afërt konkluzione. Pasi të kryhen veprimet në zonën e aksidentit, do të këqyret edhe gjendja e automjetit, si dhe do të kryhen veprime që lidhen me plotësimin e dosjes së plotë të ekspertizës.
NE SPITAL
Refik KarajJetmir Disha
Taulant Muça
Artan Kojku
Antonio Fraholli
Fuoristrada goditi autobusin, ishte një mrekulli që shpëtuam
Shoferi bën gjithmonë rrugën nga Kërraba për tubimet.

Fatmir Brazhda, koordinatori i AK në Librazhd
Koordinatori i AK-së në Librazhd: Ishim me shpejtësi normale
Mrekulli që jemi gjallë. Fatmir Brazhda, koordinatori i Aleancës Kuqezi në Librazhd, e përsërit këtë fjali herë pas here, ndërsa me dorën e gjakosur kalon nga njëra dhomë në tjetrën, ku ndodhen patriotët e tij.
Të gjithë bashkë ishin nisur për në kongresin e AK-së, pjesa më e madhe banorë të fshatit Dorëz. Ai thotë se udhëtimi dhe shpejtësia e autobusit ishin normale, duke fajësuar një mjet fuoristradë që erdhi me furi dhe goditi mjetin.
Kur jeni nisur drejt Tiranës?
Në radhë të parë do të thosha që është mrekulli që jemi gjallë dhe shëndoshë e mirë. U nisëm që në orët e para të mëngjesit, pasi jemi anëtarë të Aleancës Kuqezi dhe dëshironim të merrnim pjesë në Kongresin e Parë të kësaj partie.
Çfarë mbani mend nga aksidenti i ndodhur mesditën e së shtunës?
Ishim duke ecur me një shpejtësi relativisht minimale dhe jam i sigurt se shoferi as nuk i kishte 40 kilometra në orë, në këtë rrugë me kthesa, shumë pranë urës së 13-të. Mbaj mend një moment kur, teksa kishim kaluar kthesën dhe ecnim në rrugë të drejtë, por relativisht të ngushtë për nga vetë aksi, një fuoristradë e zezë, teksa ecte me shpejtësi, u përplas me rrotën e parë të autobusit dhe më pas sërish me këtë shpejtësi maksimale, u përplas për të dytën herë, duke bërë që autobusi të anohej një herë nga ana e kodrinës dhe më pas mjeti humbi kontrollin.
Si reagoi shoferi në këtë moment?
Mbaj mend që na zuri paniku, por më kujtohet që shoferi u mundua të frenonte dhe të ruante kontrollin e mjetit, por ishte e pamundur. Mjeti u drejtua për një çast, por ishte shumë vonë, pasi goditja e fuoristradës nuk mundi të manovrojë mjetin, i cili për fraksion sekonde përfundoi në greminë.
Si dolët nga autobusi?
Mbaj mend se dy mesoburra zbritën poshtë dhe mundën të na ndihmonin. Unë sapo u përmenda, pashë që nuk kisha marrë plagë dhe nisa të ndihmoj të aksidentuarit e tjerë, që fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Kujtoj që erdhën dhe tri mjete ambulance si edhe efektiva të zjarrfikëses, të cilët nisën të marrin të aksidentuarit me barela dhe më pas i dërguan në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Si e përjetuat këtë moment?
Mendova vetëm një gjë. Uroja që të gjithë të ishin gjallë, dhe të mund të ktheheshin shëndoshë e mirë në banesat e tyre. Sapo i shikoja që më përshëndesnin edhe ashtu të plagosur dhe me gjak, harrova veten time. Mendoja vetëm për ta, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve janë të moshës 18-40 vjeç. Ishim të gjithë të rinj.
Shoferi zakonisht bën linjën Librazhd Tiranë?
Jo, shoferi i mjetit të cilin e ka të vetin, zakonisht bën linjën LibrazhdDurrës, por në të shumtat e rasteve, duke qenë se është një shofer i rregullt, kur realizohen tubime politike, ai e përshkon gjithnjë rrugën e Kërrabës me simpatizantë të partive të ndryshme. Të gjithë qytetarët e Librazhdit flasin mirë për të, dhe jam i bindur me atë që pashë, që shoferi nuk ka asnjë faj në këtë aksident, i cili fatmirësisht përfundoi pa viktima. Nuk mendoj se ishte faji i tij, dhe dua ta përsëris që ishim me shpejtësi minimale. Gjithsesi, është ekspertiza ajo që do ti zbardhë rrethanat e aksidentit.
Prej sa kohësh i kishe lajmëruar anëtarët e kësaj partie për kongresin?
Kishim një javë që kishim prenotuar shoferin dhe duhet të shkonim vetëm 35 veta, pasi kaq vende kishte mjeti. Kështu që në këtë kongres pjesa më e madhe e anëtarëve ishin nga fshati Dorëz i Librazhdit, dhe të gjithë erdhën me dëshirën e tyre, ashtu sikundër edhe janë anëtarësuar në këtë parti.