E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR: Është hequr barrikada në Zupç

Pjesëtarë të KFOR-it kanë deklaruar se kanë bindur, serbët protestues të largojnë barrikadën rrugore në fshatin Zupç në veri të Mitrovicës.

Barrikada, e cila thuhet se ishte vendosur si shenjë kundërshtimi nga serbët ndaj hetimeve lidhur me djegien e pikave kufitare 1 dhe 31 më 26 korrik, është zhbllokuar, njoftoi zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter.

“Diskutuam me ta dhe gjatë natës u lirua bllokada rrugore. Ekziston një lloj tensioni atje dhe kjo është e vërtetë, por është relativisht qetë dhe ka liri të lëvizjes”, tha ai.

Pa dhënë detaje për veprimet eventuale të misionit të NATO-s në veri në rast të përkeqësimit të situatës, Vihter theksoi gatishmërinë e misionit për të menaxhuar gjendjen e sigurisë atje.

“Nuk publikojnë detaje për operacionet apo numrat e trupave, por të jeni të sigurt se kemi mjaft ushtarë për t`u angazhuar me çfarëdo situate”, tha ai.

Bllokadat rrugore të serbëve protestues ishin vendosur që pas aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›