KIEV – Forcat ukrainase sulmojnë depot e municioneve në Rusi

KIEV, 24 gusht /ATSH-DPA/- Ukraina ka goditur një depo municionesh në rajonin Voronezh gjatë sulmeve me dron kundër Rusisë, sipas raportimeve të mediave.
“Objektivi ishte një depo pranë qytetit të vogël të Ostrogoshskut, rreth 100 kilometra në jug të Voronezhit”, raportoi portali i pavarur i internetit Astra.
Megjithëse nuk përmendet zyrtarisht një depo municioni, guvernatori Aleksander Gusev urdhëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tre fshatra për shkak të “pasojave të zjarrit dhe shpërthimit të objekteve shpërthyese”.
Nga shpërthimet janë plagosur dy gra, njëra prej të cilave është dashur të shtrohet në spital. Rreth 200 banorë u evakuuan.
“Dy persona u plagosën gjithashtu nga sulmet me dron në rajonin fqinj të Belgorodit”, sipas informacioneve zyrtare.
Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se janë rrëzuar shtatë drone, pesë mbi rajonin Voronezh dhe nga një mbi Belgorod dhe Bryansk.
Nga ana ukrainase, ushtria raportoi një sulm masiv me raketa ruse në ishullin e gjarpërinjve në Detin e Zi. Katër raketa X-22 kishin goditur ishullin. Bomba rrëshqitëse u hodhën gjithashtu mbi rajonin Kherson.
Ishulli i gjarpërinjve konsiderohet strategjikisht i rëndësishëm për kontrollin e rajonit perëndimor të Detit të Zi. Rusia e kishte pushtuar në ditët e para të luftës, por më vonë iu desh ta lironte sërish. //a.i/