KIEV – Kreu i rindërtimit jep dorëheqjen përpara konferencës së Berlinit

KIEV, 10 qershor /ATSH-DPA/- Kreu i agjencisë ukrainase për rindërtimin, Mustafa Nayyem, ka dhënë dorëheqjen para fillimit të raundit të ardhshëm të bisedimeve për rindërtimin e Ukrainës, në Berlin.
“Që nga nëntori i vitit të kaluar, ekipi i agjencisë është përballur me një rëzistencë të vazhdueshme dhe krijimin e pengesave artificiale”, shkroi sot Nayyem në Facebook.
Në postimin e tij Nayyem u ankua për financimin e pamjaftueshëm të agjencisë së tij dhe burokracinë e tepruar, e cila vonoi masat e rindërtimit.
Puna e mëtejshme ishte bërë e pamundur që nga shkarkimi i ministrit të Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov, në fillim të majit.
Dorëheqja e Nayyem u nxit nga refuzimi i kryeministrit Denys Shmyhal për të autorizuar një udhëtim pune në konferencën e rindërtimit në Berlin. Konferenca e tretë ndërkombëtare deri më sot është planifikuar për të martën dhe të mërkurën.
Sipas një raporti mediatik, një pjesë e madhe e ekipit të Nayyem po largohet gjithashtu, gjë që vë në pikëpyetje punën e ardhshme të agjencisë.
Nayyem, një ish-gazetar, ka drejtuar Agjencinë Shtetërore për Restaurimin dhe Zhvillimin e Infrastrukturës që nga janari 2023. Ai fillimisht u bë i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij të spikatur në fillimin e protestave pro-perëndimore të vitit 2013 në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë vlerësohet të ketë shkaktuar dëme prej disa qindra miliardë dollarësh që kur Rusia e filloi atë më shumë se dy vjet më parë. //a.i/