E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Trump po ndihmon Putinin të dalë nga izolimi

KIEV, 19 shkurt /ATSH-ANSA/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihmuan presidentin rus Vladimir Putin t’i jepte fund tre viteve të “izolimit” në Perëndim, theksoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara e ndihmuan Putinin të dilte nga vitet e izolimit”, u tha Zelensky gazetarëve, një ditë pasi zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu dëshirën e tij për mbështetje më të fortë nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa kritikoi përjashtimin e Kievit nga negociatat për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.

“Ne vërejmë se ata po e nxjerrin  Putinin nga izolimi politik, por është vendimi i tyre. Ata janë duke negociuar”, shtoi ai.

Komentet e Zelensky erdhën pasi SHBA-ja dhe Rusia zhvilluan bisedime në kryeqytetin saudit Riad, duke shënuar takimin e parë të drejtpërdrejtë midis diplomatëve amerikanë dhe rusë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Zelensky kritikoi gjithashtu përjashtimin e Ukrainës nga negociatat për t’i dhënë fund luftës, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e çdo bisedimi të zhvilluar pa pjesëmarrjen e Kievit.

“Kur thonë ‘këto janë planet tona për përfundimin e luftës’, kjo ngre pikëpyetje për ne. Ku jemi ne? Ku jemi në këtë tryezë të bisedimeve? Kjo luftë po zhvillohet brenda Ukrainës. Putini po vret ukrainasit, jo amerikanët. As evropianët. Ukrainasit po vdesin”, tha ai.

“Ne duam një paqe të drejtë, paqe të vazhdueshme, paqe të qëndrueshme”, shtoi ai.

Zelensky theksoi se Ukraina dhe Rusia duhet të jenë në tryezë për bisedimet e paqes dhe se jo vetëm Bashkimi Evropian, por i gjithë kontinenti evropian duhet të përfaqësohet.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›