KIEV – Zelensky: Ukraina ka nevojë për garanci efektive, për paqen e vërtetë

KIEV, 6 dhjetor /ATSH-DPA/- Në 30-vjetorin e Memorandumit të Budapestit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kujtoi dështimin e marrëveshjes së sigurisë dhe bëri thirrje për garanci efektive.
“Të gjithë në botë e dinë se nënshkrimi i një shteti, çdo garanci apo premtim, nuk mjafton si siguri”, tha Zelensky në videomesazhin e tij dje në mbrëmje.
Në vitin 1994, Ukraina, së bashku me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, u zotuan t’i dorëzonin armët e tyre bërthamore Rusisë në Budapest.
Në këmbim, vendi mori garanci sigurie, përfshirë edhe nga Moska.
“Këto garanci sigurie ishin të paefektshme”, tha Zelensky, duke iu referuar pushtimit të vendit të tij nga Rusia.
“Për një paqe të vërtetë, Ukraina ka nevojë për garanci efektive. Kjo do të thotë një aleancë e vërtetë dhe një themel realist sigurie në vend”, tha ai.
“Në terma konkretë, kjo do të thotë armë dhe kohezion për të qenë në gjendje të mbrohet në rast emergjence”, shtoi Zelensky.
Zelensky kërkon anëtarësimin e shpejtë të vendit të tij në NATO, në mënyrë që të mbrohet nga agresioni i ri rus në rast të një armëpushimi të mundshëm.
Rusia po kërkon jo vetëm dorëzimin e territorit nga Ukraina – si parakusht për negociatat e paqes, por edhe heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO dhe krijimin e një ushtrie efektive – por Kievi e sheh veten si të pafuqishëm dhe të ekspozuar ndaj sulmeve të mëtejshme ruse në të ardhmen. //a.i/