E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJENEVË – OBSH raporton panik në spitalin verior të Gazës

GJENEVË, 6 dhjetor /ATSH-DPA/- Frika nga një sulm i afërt së bashku me bombardimet e forta në zonë shkaktuan panik gjatë natës, në spitalin Kamal Adwan, në veri të Rripit të Gazës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të OKB-së (OBSH).

“Edhe pse nuk kishte asnjë urdhër zyrtar evakuimi nga ushtria izraelite, raportet për një sulm të afërt u përhapën gjatë natës”, tha Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për territoret e pushtuara nga Izraeli.

Ai foli me gazetarët në Gjenevë përmes një lidhjeje me video nga Gaza.

“Njerëzit u ngjitën mbi mure për të shpëtuar dhe pati raportime për vdekje”, tha ai.

Banorët thanë se dhjetëra ushtarë izraelitë kishin bastisur spitalin.

Sipas deklaratave të tyre dhe raportimeve të medieve, stafi dhe pacientët ishin detyruar të largoheshin nga objekti dhe pati dhjetëra arrestime.

“OBSH ishte në gjendje të dërgonte një ekip urgjence në spital vetëm disa ditë më parë, pas disa javësh përpjekjesh të pasuksesshme, duke përfshirë dy kirurgë indonezianë”, tha Peeperkorn.

Ata u arratisën para mëngjesit të sotëm me një numër të madh personash të tjerë që donin të largoheshin nga ndërtesa.

Sipas Peeperkorn, rreth 12 000 të plagosur dhe të sëmurë në Gazë – ishin duke pritur urgjentisht evakuimin pasi nuk mund të trajtoheshin në vend.

Para se të fillonin luftimet më shumë se një vit më parë, nga Rripi i Gazës largoheshin për trajtim çdo ditë 50 pacientë.

Peeperkorn bëri thirrje për krijimin e rrugëve të sigurta për evakuimin e njerëzve që kanë nevojë urgjente për ndihmë jashtë vendit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›