KIEV – Zelensky dënon përshkallëzimin e veprimeve ruse në Poloni

KIEV, 10 shtator /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se sulmet me dronë të Rusisë gjatë natës në Ukrainë, tregojnë se Moska po vazhdon të shtyjë kufijtë e saj, sipas BBC.
Zelensky tha se sulmet masive vranë një person në rajonin Zhytomyr dhe plagosën tre të tjerë në Volochysk, ku u godit një punishte.
“Pesëmbëdhjetë rajone u shënjestruan gjatë natës në një sulm që përfshinte 415 dronë të llojeve të ndryshme dhe më shumë se 40 raketa kruiz dhe balistike”, tha ai.
“Moska gjithmonë po shtyn kufijtë e asaj që është e mundur, dhe nëse nuk has një reagim të fortë, ajo mbetet në nivelin e ri të përshkallëzimit”, tha Zelensky.
“Sot pati një hap tjetër të përshkallëzimit. Dronët “Shahed” ruso-iranianë operuan në hapësirën ajrore të Polonisë, në hapësirën ajrore të NATO-s. Nuk ishte vetëm një “Shahed” që mund të quhej aksident, por të paktën tetë dronë sulmues të drejtuar drejt Polonisë”, theksoi presidenti ukrainas.
“Një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm për Evropën”, tha Zelensky duke iu referuar dronëve rusë që hynë në hapësirën ajrore polake.
“Rusët duhet t’i ndiejnë pasojat. Rusia duhet të ndiejë se lufta nuk mund të zgjerohet dhe do të duhet të përfundojë”, tha ai.
“Pauza e sanksioneve ka zgjatur shumë”, tha Zelensky duke shtuar se nevojitet një përgjigje e fortë nga aleatët e Ukrainës. //a.i/