VARSHAVË – Polonia rrëzon dronët rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore

VARSHAVË, 10 shtator /ATSH-ANSA-PAP/ -Një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan gjatë natës mbi hapësirën ajrore të Polonisë, tha kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
“Një operacion është duke u zhvilluar që përfshin shkelje të shumta të hapësirës ajrore polake. Ushtria ka përdorur armë kundër objektivave. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin dhe Ministrin e Mbrojtjes. Kam marrë një raport të drejtpërdrejtë nga komandanti operativ”, deklaroi Tusk.
“E kam informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për situatën aktuale dhe veprimet që kemi ndërmarrë kundër objekteve që kanë shkelur hapësirën tonë ajrore. Jemi në kontakt të vazhdueshëm”, shtoi Tusk në takimin e 10-të.
Ministri Wladyslaw Kosiniak-Kamysz shtoi se Forcat Territoriale të Mbrojtjes Polake janë aktivizuar për të “kërkuar në tokë për dronë të rrëzuar”.
Mbrëmë, autoritetet polake mbyllën përkohësisht aeroportin ”Chopin” të Varshavës dhe vunë mbrojtjen ajrore të vendit në gatishmëri të lartë pas raportimeve për dronë rusë që hynë vazhdimisht në hapësirën ajrore polake gjatë një vale sulmesh ajrore gjatë natës kundër Ukrainës.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake tha se kishte aktivizuar të gjitha procedurat e nevojshme për të mbrojtur hapësirën ajrore kombëtare dhe kishte ngritur në ajër avionë polakë dhe të NATO-s në përgjigje të kërcënimit të mundshëm.
“Gjatë sulmeve të sotme ruse ndaj objektivave në Ukrainë, hapësira ajrore polake u shkel vazhdimisht nga objekte të ngjashme me dronë”, thanë Forcat Ajrore Polake.
Sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar kanë arritur gatishmërinë maksimale dhe një operacion për të lokalizuar dhe neutralizuar dronët është duke u zhvilluar.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të provincave Podlaskie, Mazovia dhe Lublin të qëndrojnë brenda./ a.jor.