KIEV – Zelensky do të takohet me partnerët në Francë për të diskutuar mbi sektorin e energjisë

KIEV, 16 shkurt /ATSH-DPA/-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi sot se do të zhvillojë bisedime me partnerët në Francë këtë javë, duke u përqendruar në sektorin e energjisë, pas disa javësh ndërprerjesh masive të energjisë elektrike – për shkak të sulmeve ruse.
“Takimi sipas të ashtuquajturit “formati Ramstein” do të përfshijë Grupin e Shtatë shteteve të industrializuara (G7), partnerë nga Evropa Veriore dhe Baltiku”, tha Zelensky.
Ai përmendi në mënyrë të qartë ministrat nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.
Miliona njerëz në Ukrainë janë goditur nga ndërprerja e energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes – të shkaktuara nga sulmet sistematike ruse.
Njoftimi vjen një ditë para raundit të ri të bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në Gjenevë.
Zelensky tha sërish në media sociale se i konsideron lëshimet territoriale si “rrugën e gabuar”.
“Kievi është gati për kompromise, por kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga territori”, tha ai, duke argumentuar se vendi i tij nuk ishte i përgatitur të pranonte një kompromis që do t’i lejonte Rusisë të rikuperohej dhe të pushtonte Ukrainën.
Zelensky theksoi rëndësinë e garancive të sigurisë së SHBA-së për vendin e tij, duke thënë në Konferencën e Sigurisë të shtunën në Mynih, se Uashingtoni kishte ofruar një periudhë prej 15 vitesh, ndërsa Kievi ka kërkuar që garancitë të zgjasnin të paktën 20 vjet. //a.i/