KIEV – Zelensky nderon rezistencën ndërsa Ukraina shënon përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri sot homazhe për rezistencën e vendit të tij, ndërsa Ukraina shënoi përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë.
“Jam krenar për Ukrainën”, shkroi Zelensky në Telegram, duke përkujtuar ushtarët që vdiqën në betejë.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov theksoi vullnetin e vendit për të vazhduar luftën.
“Luftëtarët ukrainas luftojnë për çdo metër të tokës sonë”, shkroi ai në X, duke shtuar se – i gjithë vendi po punonte drejt fitores.
Umerov i bëri thirrje Perëndimit të mbështeste Ukrainën derisa pushtuesi i fundit rus të largohej nga vendi.
“Për të fituar, ne kemi nevojë për veprim vendimtar nga aleatët tanë”, tha ai.
“Sot, Ukraina është një mburojë e fortë e Evropës. Ne kemi ndaluar një armik që kërcënon të gjithë botën demokratike”, shkroi Umerov.
“Fitorja jonë është siguria e gjithë botës së lirë”, shtoi ai.
Umerov vuri në dukje se Ukraina mund të ishte një pasuri për NATO-n, pasi Kievi vazhdon të përpiqet për anëtarësim në aleancën ushtarake.
“Përvoja jonë në luftën moderne është e paçmueshme për NATO-n dhe industria jonë e mbrojtjes është një partner i besueshëm për Aleancën”, shkroi ministri në X.
Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në orët e para të 24 shkurtit 2022.
Duke përfshirë gadishullin e Krimesë të Detit të Zi, të cilin e aneksoi në 2014, Rusia tani kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës. //a.i/