E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes aktori i njohur iranian, Homayoun Ershadi

TEHERAN, 11 nëntor /ATSH/ – Aktori dhe arkitekti iranian Homayoun Ershadi, i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij në filmin ”The Kite Runner” të regjisorit Marc Forster, ka vdekur në moshën 78-vjeçare, sipas ”The Deadline”.

Lajmi u konfirmua edhe nga agjencia shtetërore iraniane IRNA, e cila raportoi se Ershadi vdiq sot, pas një beteje me kancerin.

Ershadi u bë i famshëm në vitin 1997 me rolin e tij në filmin fitues të Palmës së Artë në Kanë, ”Taste of Cherry” të regjisorit legjendar, Abbas Kiarostami.

Ai e kishte marrë rolin pas një takimi të rastësishëm me Kiarostamin, teksa ndodhej në makinë në një semafor në Teheran.

Regjisori i trokiti në dritare dhe i tha ”dua të bëj një film. Do të doje të ishe pjesë e tij?”,  një moment që do t’i ndryshonte jetën.

Publiku ndërkombëtar e njohu më shumë për rolin e babait, figurës atërore në filmin ”The Kite Runner” (2007), një histori prekëse për miqësinë e dy djemve në Kabulin e viteve 1970, të ndarë më pas nga ngjarjet historike.

Ndër projektet e tjera të tij ndërkombëtare përfshihen ”Agora” (2009) e Alejandro Amenábar, ”Zero Dark Thirty” (2012) e Kathryn Bigelow, dhe ”Utopia” (2015) e Hassan Nazer, që trajtonte historinë e një gruaje që udhëton në BM për trajtim fertiliteti.

Në Iran, Ershadi u shfaq edhe në filma si “Lelah”, “Mahoor” dhe “The Hill of Kites”, i cili do të publikohet pas vdekjes së tij.

Homayoun Ershadi do të kujtohet si një nga figurat më të ndritura të kinemasë iraniane, i cili ndërthurte thellësinë artistike me thjeshtësinë njerëzore, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në skenën filmike botërore./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›