PAKISTAN – Të paktën 12 të vdekur pas sulmit vetëvrasës në Islamabad

ISLAMABAD, 11 nëntor /ATSH/- Një person hodhi sot veten në erë jashtë Gjykatës së Lartë të Islamabadit në Pakistan, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 12 personave dhe plagosjen e 21 të tjerëve, sipas BBC.
Ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi e konfirmoi shpërthimin si një sulm terrorist, duke thënë se ai i ishte afruar gjykatës, me qëllimin që të hynte në ndërtesë, por kur dështoi, ai hodhi veten në erë pranë një furgoni policie.
Sipas raporteve, viktimat dhe të plagosurit, ishin kryesisht kalimtarë ose njerëz që ndiqnin seancat gjyqësore.
Të plagosurit u dërguan menjëherë në spital. Disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Gjykata u evakuua pas shpërthimit.
Sulme të tilla nuk janë të rralla në Pakistan, ku veprojnë disa grupe të armatosura, por janë të rralla në Islamabad, një qytet relativisht i sigurt për shkak të afërsisë së tij me ndërtesat qeveritare.
Gjykata e Lartë ndodhet në një lagje të mbushur me zyra qeveritare.
Asnjë grup terrorist nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi vetëm disa orë pas një shpërthimi që vrau 13 persona në Nju Delhi të Indisë, të cilin autoritetet indiane po e hetojnë si një sulm terrorist.
Megjithatë, aktualisht nuk ka informacione që sugjerojnë një lidhje midis dy incidenteve. //a.i/