E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED: Veriu, jashtë bisedimeve

Me një konsensus politik dhe një legjitimitet të vërtetë, bënë të shkohet në dialog me Serbinë por gjithmonë duke përjashtuar veriun. Ky është propozimi i krerëve të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), të cilët, të hënën, në një konferencë për media, kanë publikuar një raport duke dhënë kështu edhe rekomandimet e tyre.

Në raportin e KIPRED-it thuhet se Kosova në periudhën afatmesme duhet të kërkojë nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të çojë në njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Në KIPRED thonë se Kosova nuk ka sjellje shtetërore, ngase sipas tyre, bashkësia ndërkombëtare e ndërton pozicionin e saj, dhe pastaj ata bisedojnë me Serbinë.

Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në KIPRED, ka thënë se ne nuk po arrijnë legjitimitet ndërkombëtar, përderisa po për këtë, legjitimitet po ulemi të bisedojmë sërish me Serbinë.

“Dështimi ma i madh dhe kyç i Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë që gati pesë vite pas shpalljes së pavarësisë është që ne të hyjmë në një proces ku për legjitimitetin tonë ndërkombëtarë ne prapë duhet të ulemi dhe të bisedojmë me Serbinë. Nuk mund të thuhet se Kosova po arrin suksese në legjitimitetin ndërkombëtar kur ne prapë duhet të kthehemi atje ku kemi qenë para disa vjetëve, ky nuk është sukses”, ka thënë ai.

Ndërsa, Shpend Kursani, hulumtues në KIPRED, ka thënë se Kosova nuk duhet që për një njohje ekstra të bëjë një kompromis të madh brenda.

Sipas tij, edhe me vetëm 70 njohje, vendi ka funksionuar njësoj.

“Nëse ne përmes dialogut me Serbinë po kërkojmë legjitimitet ndërkombëtar, çka nëse ne e ndalojmë dialogun pa u plotësua kushtet. Çka humb Kosova, i ka 90 njohje, a ka funskionu më keq me 70 njohje? Ne nuk duhet që për një njohje ekstra të bëjmë një kompromis të madh brenda. Njohjet duhet ndryshe, nëse dialogu me Serbinë është një mënyrë si i merr ti njohjet, ashtu siç po thua, atëherë në dialog duhet të hyhet ndryshe, me kushte të prekshme logjike, që pala tjetër në dialog duhet të hjek kërcënimet brenda territorit tënd, atë që po kërkon edhe ndërmjetësuesi, pra BE-ja”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ilir Deda ka thënë që qasja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj neve dhe ndaj Serbisë është çështje kryesore. Sipas tij, ata nuk kanë mundësi e as mekanizëm që ta shtyjnë Serbinë që të jetë palë konstruktive.

Deda thotë se duhet konsensusi politik, legjitimiteti i vërtetë, porse veriu duhet lënë jashtë bisedimeve.

“Situata më e mirë për Kosovën kish me qenë nëse partitë politike ulen, e kryejnë reformën zgjedhore, hyhet në zgjedhje të parakohshme, del një qeveri me legjitimitet të vërtetë dhe hyn në proces të dialogut me Serbinë me këto kushte të cilat ne po i cekim, dhe natyrisht pa biseduar për veriun. Natyrisht, këtë ne e kemi thënë në konsistencë”, ka thënë ai.

Ata mendojnë se Kosova nuk shihet si palë që ka pozicionin e saj, por që sipas KIPRED-it, pozicionin e Kosovës e ndërton bashkësia ndërkombëtare dhe pastaj ata bisedojnë me Serbinë. Sipas KIPRED-it, kjo nuk është sjellje e një shteti.

Në raportin e KIPRED-it thuhet se Kosova në periudhën afatmesme duhet të kërkojë nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të çojë kah njohja nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›