E Diel, 1 Nëntor 2026

KIPRED tërhiqet nga “Demokracia në Veprim”

Nga Express më 15 dhjetor 2010 në ora 17:31

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka vendosur të tërhiqet nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” për shkak të pakënaqësive të shumta me udhëheqjen e procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

KIPRED, që njëherësh ka qenë themelues i këtij koalicioni, konsideron se “Demokracia në Veprim” nuk e ka kryer punën e saj në vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe ka dështuar të raportojë në mënyrë objektive dhe profesionale për parregullsitë dhe manipulimet të votës së lirë.

“Me keqardhje njoftojmë publikun që nuk kemi mundur të kryejmë punën tonë si duhet, meqë nuk kemi pasur qasje direkte te vëzhguesit e “Demokracisë në Veprim”, kurse informatat që kemi marrë nga qendra e thirrjeve kanë qenë të pakta, të përgjithësuara dhe të relativizuara. Ditën e votimit, përkundër insistimit të disa organizatave të koalicionit që të telefonohen vëzhguesit e turnit të parë dhe të nxirren informata për parregullsitë eventuale, KDI-ja u ka dhënë prioritet nxjerrjes së rezultateve”, thuhet në komunikatë.

KIPRED konsideron se roli i shoqërisë civile nuk është t’u shërbejë interesave politik apo KQZ-së në nxjerrjen e rezultateve, por të vëzhgoj procesin e votimit dhe numërimit të votave dhe të raportoj për cilëndo parregullsi të evidentuar, duke garantuar kështu proces të rregullt zgjedhor.

“Si pasojë e vendimeve dhe prioriteteve të gabuara të vëna nga KDI-ja, “Demokracia në Veprim” është vonuar me grumbullimin e të dhënave nga terreni dhe ka dështuar të raportojë për të gjitha parregullsitë. Për më shumë, parashtrimi i ankesave në PZAP dhe publikimi i gjetjeve të vëzhgimit në një konferencë për media të datës 14 dhjetor 2010, ka qenë i pjesshëm dhe selektiv. Përqendrimi në parregullsitë edhe ashtu evidente në Skenderaj dhe Drenas dhe injorimi i manipulimeve tjera, sidomos ato në Malishevë dhe Mitrovicë, është i papranueshëm për ne”, thuhet më tej në komunikatë.

Me këtë vendim, instituti KIPRED mbetet i përkushtuar që të punojë më tej në zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe do të angazhohet si institut i pavarur që të mbikëqyrë proceset zgjedhore si elemente qenësore të demokracisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›