E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED vlerëson decentralizimin të suksesshëm, por të pakompletuar

Prishtinë, 4 gusht – Instituti KIPRED ka vlerësuar se procesi i decentralizimit deri tani ka qenë i suksesshëm, megjithatë, sipas institutit, ky proces ende nuk është i kompletuar ashtu si po e vlerëson Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Pas prezantimit të raportit “Rishikim i procesit të decentralizimit – Funksionimi i komunave me shumicë serbe”, përfaqësuesi i KIPRED-it, Krenar Gashi, ka thënë se sfida kryesore në këtë proces mbetet bartja e kompetencave nga komunat amë tek ato të reja dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore.
“Në mënyrë që këto komuna të jenë në gjendje që ta ushtrojnë mandatin dhe funksionin e vet dhe krahas këtij procesi edhe ta pranojnë dokumentacionin, por njëkohësisht me dokumentacion edhe përgjegjësitë”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar se studimi është fokusuar në komunat e reja ekzistuese, ndërsa sa i përket komunës së "Mitrovicës së veriut", Gashi ka thënë se “ende është herët të flasim për krijim e komunës".
Sipas tij, deri tani edhe Qeveria edhe bashkësia ndërkombëtare kanë qenë shumë të matura me veprimet e tyre në Mitrovicë, ndërsa hap i suksesshëm është hapja e Zyrës së Regjistrimit Civil në veri të Mitrovicës.
“Legjislacioni që është dërguar në Kuvend për miratim, si dhe gjërat e tjera që i përkasin procesit të decentralizimit kanë qenë uniforme dhe nuk ka ndonjë gjë specifike që është bërë në komunën e Mitrovicës së veriut nga ana e Qeverisë”, ka thënë më tutje Gashi.
Duke vlerësuar se në konsolidimin e strukturave komunale dhe asambleve komunale strukturave paralele u është dhënë një goditje e fortë, Gashi ka thënë se megjithatë nuk është afër zhdukja e këtyre strukturave.
“Periudha kohore në të cilën po hyjmë tash dhe deri në fund të vitit është qenësore, sepse do të kemi një betejë mes qeverisjes së zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe atyre paralele, sidomos në fushën e arsimit dhe në atë shëndetësore”, ka konsideruar ai.
Ndryshe, nga studimi që ka kryer KIPRED-i, ka vërejtur se me krijimin e komunave të reja është kthyer besimi i popullatës serbe te institucionet e Kosovës. Raporti është fokusuar në analizimin e dy aspekteve rreth fuqizimit të qeverisjes komunale me procesin e decentralizimit.
“E para ka të bëjë me fuqizimin e kompetencave, përkatësisht zbritjen e kompetencave prej qeverisë qendrore në atë lokale dhe, e dyta, bartja e dokumentacionit gjegjës prej komunave amë te komunat e reja”, ka thënë Gashi.
KIPRED-i ka gjetur vërejtje në bartjen e kompetencave të deleguara që kanë të bëjnë me regjistrin civil të votuesve dhe shpërndarjen e ndihmës sociale.
“Në bartjen e këtyre kompetencave, të cilat ministritë përkatëse apo agjencitë e tjera të nivelit qendror i delegojnë te komunat, këtu kemi pasur një ngecje”, thuhet në raport.
Gjithashtu në raport thuhet se në kategorinë më të rëndësishme që ka të bëjë më kompetencat e zgjeruara komunale nuk është bërë fare përparim.
“Ka ngecur bartja e kompetencave për kujdesin shëndetësor dytësor, edukimin universitar, fushën e kulturës dhe të drejtat e pjesëmarrjes në zgjedhjen e komandantëve lokalë të policisë”, ka konstatuar raporti.
Ndërsa sa i përket bartjes së dokumentacionit, KIPRED-i ka vlerësuar se fillimisht ka pasur një ngurrim dhe mungesë të vullnetit politik nga komunat amë për të bartur dokumentet te komunat e reja.
“Ky ngurrim politik lidhet edhe me disa probleme të natyrës teknike, sepse jo të gjitha të dhënat e komunave kanë qenë të digjitalizuara dhe ka qenë shumë e vështirë për komunat që t’i sortojnë ato të dokumente, të cilat duhet të shkojnë në një komunë apo në një komunë tjetër”.
Në fund të raportit thuhet se procesi i decentralizimit ka shënuar suksesin më të madh në konsolidimin e bashkëjetesës në mes të shqiptarëve dhe serbëve në një Kosovë të pavarur. Megjithatë, ceket se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës ka qenë vetëm një sukses preliminar. “Autoritetet kosovare duhet të vazhdojnë me përfundimin e decentralizimit, duke përmirësuar pushtetin e vet, të deleguar dhe të zgjeruar të komunave”.
Gjithashtu KIPRED-i ia ka bërë disa rekomandime Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë përfundimin e legjislacionit për huamarrje që do t’u mundësojë komunave të draftojnë plane afatshkurtra, afatmesme dhe strategji zhvillimore”. Rekomandime ka pasur edhe për komunat e reja.
“Komunat e reja duhet të vazhdojnë të punësojnë personelin e ri sa më shpejt që të jetë e mundur. Prioritet duhet t’i jepet punësimit të personelit që duhet të marrë skedarët dhe dokumentacionin prej komunave amë, në mënyrë që shërbimet komunale të bëhen funksionale”. Si shembuj pozitivë sa i përket bartjes së dokumentacionit është përmendur Komuna e Graçanicës dhe ajo e Ranillugut, ndërsa si rast ku ky proces ka ngecur përmendet Komuna e Kllokotit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›