E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT gjobit piratët, kufizohet licenca e Tring TV

Shkelja e të drejtave të transmetimit u ka kushtuar gjoba dhe heqje licencash edhe disa televizioneve kabllore

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka marrë vendimin për të kufizuar me pesë vjet licencën e platformës private satelitore “Tring TV”, si pasojë e shkeljeve të vërejtura në transmetimin e programeve, mbi të cilat nuk zotëron të drejtat për transmetim.

Në të njëjtën kohë, KKRT-ja u ka vendosur edhe një listë gjobash operatorëve televizivë në zona të ndryshme të vendit për pirateri. Ndërkohë janë penalizuar edhe subjekte të tjera, të cilat kanë aplikuar për licencë, por kanë nisur transmetimet ende pa marrë lejen. Vendimet u morën në mbledhjen e 28 korrikut 2010, gjatë së cilës Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit mori në shqyrtim projektvendimet përkatëse, që lidhen me dhënie, rinovim apo heqje licence të subjekteve të veçanta, si dhe me shqyrtimin e sanksioneve me gjobë të disa subjekteve të tjera. Nga shqyrtimi i materialeve të paraqitura, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit mori vendimin për lënien në fuqi të gjobës prej 1 milion lekësh, vendosur ndaj platformës private numerike satelitore “Tring TV”, për transmetime programesh pa të drejta, si dhe për reduktimin në pesë vjet të kohës së vlefshmërisë së licencës, për shkak të shkeljeve të përsëritura të të drejtave të transmetimit. KKRT-ja mori vendim për lënien në fuqi të gjobës së vendosur për pirateri edhe ndaj subjekteve televizive private kabllore “TV Kabllor Jug” dhe “TV Kabllor AVN” dhe të masës “paralajmërim” ndaj gjashtë subjekteve televizive private kabllore. KKRT-ja mori gjithashtu vendim për sanksionet me gjobë prej 30 mijë lekësh ndaj 11 subjekteve që kanë depozituar në KKRT aplikimet për marrje licence, por që kanë dalë në transmetim pa autorizim. Gjithashtu u ndërmor masa “paralajmërim” ndaj 15 televizioneve vendore të monitoruara gjatë muajit dhjetor 2009, si dhe heqja e licencave për disa radio e televizione lokale. Përveç masave ndëshkuese, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit miratoi dje edhe disa vendime për licencim dhe rinovim licence për disa televizione kabllore, radio e televizione vendore. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit diskutoi dje informacionin “Mbi vendimin e KKRT-së lidhur me projektligjin ‘Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë’, të hartuar nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›