E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD nxjerr 13 "spiunë" nëpër gjykata

• Solemniteti, formaliteti, ankesat e qytetarëve, aftësia profesionale dhe vlerësimi i gjyq-tarëve, etika, rregullat, disiplina dhe marrëdhëniet me qytetarët nëpër gjykata do të kalojnë në sitën e inspektoratit të KLD-së.Fatos Mahmutaj Lajmin e pohojnë burime zyrtare nga ky institucion sipas të cilave, Këshilli ka vendosur ngritjen e një grupi pune me 13 inspektorë, të cilët do të nisin punën së shpejti dhe do kontrollojnë veprimtarinë e përditshme nëpër të gjitha gjykatat e shkallës së parë, të dytë në të gjithë vendin. Në krye të këtij grupi është propozuar për t'u vendosur gjyqtarja nga Shkodra, Valbona Vata. Ndërkohë në mbledhjen e së hënës të anëtarëve të Këshillit do t'u propozohen për votim edhe emrat e katër inspektorëve: Elda Vrioni nga gjykata e Fierit; Qamil Zaimi nga Gjykata e Librazhdit, posti i të cilit u hoq me shkrirjen e gjykatës; Hysen Saliko nga Gjykata e Kolonjës, posti i të cilit gjithashtu është hequr dhe emri i katërt është gjyqtari Laze Sollaku.Grupi Burime nga KLD pohuan mbrëmë për “Panorama”, se me krijimin e këtij grupi pune janë marrë parasysh shumë fakte. Sipas tyre, anëtarët i përkasin dy brezave të gjyqtarëve; të vjetërve dhe magjistratëve, çka pritet të ndikojë në rritjen e efiçencës së inspektoratit të Këshillit. KLD pak ditë më parë deklaroi të hapur reformën në gjyqësor, ndërsa shtoi se do jetë pjesë e rëndësishme e kësaj reforme. Në përbërjen e grupit gjithashtu janë marrë parasysh edhe premtimi i KLD-së për të sistemuar në punë gjyqtarët, të cilëve katër muaj më parë iu suprimua vendi i punës si pasojë e mbylljes së pesë gjykatave më të vogla në vend, me argumentin se nuk justifikonin shpenzimet. Të pesë emrat pritet që në mbledhjen e nesërme, t'iu paraqiten anëtarëve të Këshillit për t'u votuar. Funksioni Sapo të miratohet nga KLD-ja inspektorati, pritet të nisë nga puna për kontrollin e gjykatave. Burime nga Këshilli pohojnë se fillimisht do të kontrollohen Gjykatat e Shkallës së Parë të rretheve të mëdha për të parë anët formale të problemeve që dalin gjatë gjykimeve, solemnitet dhe marrëdhëniet me qytetarët. Ndërkohë, përparësi pritet të kenë ankesat e qytetarëve të cilat janë depozituar në KLD kundër gjyqtarëve të ndryshëm. Më parë Ministria e Drejtësisë ka pohuar se në mjaft gjykata, gjyqtarët nuk respektojnë oraret e punës në paraqitjen në mëngjes dhe largimin pasdite. Sipas tyre, gjyqtarët i nisin proceset pas orës 09:00 të mëngjesit dhe i përfundojnë ato në orën 13:00, kur largohen nga puna, ndërkohë orari zyrtar i punës fillon në orën 08:00 dhe përfundon në 16:00, por mund të zgjatet deri në 16:30. Pikërisht verifikimi i këtyre pritet të jetë pikënisja e punës së inspektoratit, menjëherë pasi të votohet nga Këshilli paraditen e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›