Blero akuzon: Çmimet janë të shitura
• Ndërsa zakonisht kontestimet apo thashethemet lindin pas ndarjes së çmimeve, këtë vit ka ndodhur e kundërta. Protagonist i tyre është bërë këngëtari kosovar me banim në Suedi, Blero.Emri i tij ka figuruar mes këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e 46-të të këngës, ndërsa më pas mësojmë, se Blero nuk do të jetë më pjesë e këtij eventi. Sipas thashethemeve të dala nga burime jo zyrtare të Festivalit, këngëtari është “përzënë” nga ky aktivitet, pasi menaxheri i tij ka ofruar para për t’i dhënë çmimin e parë. Duket se vetë Blero ka një tjetër variant për largimin e tij nga gara e festivalit. Këngëtari ka bërë gjithçka publike në internet në “albaniac.com”, ku përmes një e-maili akuzon drejtuesit e Festivalit, se i kanë shitur çmimet e këtij aktiviteti. I kontaktuar gjithashtu nga gazeta “Panorama”, Blero shprehet se gjithçka është publikuar nga “albaniac” është e vërtetë. “Unë e kam kuptuar që në atë festival, ka parregullsi”, tregon Blero i cili shton se i di emrat e fituesve të festivalit dhe ka informata të sakta, por nuk dëshiron t’i përmendë ata. “Arsyeja është shumë e thjeshtë; edhe kësaj radhe nuk mungon korrupsioni dhe padrejtësia në këtë festival. Unë isha në Tiranë për rreth një javë duke u ushtruar dhe përgatitur “Festivalin e Madh”, kur një person anonim me tregoi me fakte, se gjithçka është vendosur para kohe, tre çmimet e para janë të vendosura nga vetë udhëheqja e festivalit”, shkruan këngëtari në “albaniac”. Edmond Zhulali: Ai u largua vetëDrejtori artistik i Festivalit, Edmond Zhulali i pyetur nga gazeta në lidhje me largimin e Bleros është shprehur shkurtimisht: “Ai u largua vetë. Arsyet janë të tijat”. Kaq ka preferuar të komentojë për momentin drejtori i festivalit të sivjetshëm.Çmimi i parë te Greta Koçi??? Ornela CaciKa startuar mbrëmë në sallën e Pallatit të Kongreseve, Festivali i 46-të i Këngës në RTSH. E ndërsa në natën e parë kemi parë të performojnë live emra të njohur këngëtarësh, por edhe të rinj, nata e dytë do të prezantojë përpara publikut, pjesën tjetër të konkurrentëve. Por siç ndodh shpesh në të tilla evente, përveç pjesës zyrtare dhe anës spektakolare, kur bëhet fjalë për një garë, interes shfaq edhe ajo që ndodh pas kuintave. Thashethemet dhe fjalët që fliten nëpër korridore duket se në të tilla momente, marrin po aq rëndësi sa edhe vendimet zyrtare. Sidomos kur edhe vetë këngëtarët rrinë gjithë sy e veshë për të mësuar qoftë edhe një fjalë për fatin e këngës së tyre. Pa dashur aspak të ulim vlerat e Festivalit kombëtar dhe të vetmit aktivitet muzikor live, duket se shpesh për ne gazetarët, pjesa e thashethemeve apo edhe e bisedave të lira mes kolegëve, bën të zbulojmë diçka më shumë. Për të mbërritur tek finalja dhe çmimi i parë. Edhe pse shumica e artistëve, në intervista shprehen se e rëndësishme është pjesëmarrja dhe prezantimi dinjitoz, për të gjithë triumfi me një çmim duket se ka të njëjtën rëndësi, e ndoshta edhe më tepër. Pa dashur aspak të bëjmë rolin e parathënësit (sidomos pa u prezantuar ende të gjitha këngët konkurrente), duke iu referuar fjalëve që qarkullojnë mes artistëve, duket se këtë vit emri më i përfolur është ai i këngëtares Greta Koçi dhe i kompozitorit Flamur Shehu. Ky fakt i ka irrituar këngëtarët big të skenës, të cilët në bisedat me njëri-tjetrin e shohin të padrejtë fitoren e këngëtares Koçi. Sepse siç dihet tashmë, nuk bëhet fjalë vetëm për çmimin, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurosong”. Dhe më shumë se një këngëtare e re sipas tyre, këtë fat duhet ta kenë profesionistët më dinjitozë të skenës. Por të njëjtët zëra, që lidhen me emra të njohur këngëtarësh, pohojnë se kompozitori Flamur Shehu po i bën të gjitha lëvizjet e duhura, për ta dërguar këngën e tij në Beograd. Dhe kur thuhet lëvizje, do të thotë diçka më tepër se kompozimi i notave muzikore. Flitet se duke u nisur nga pozicioni i tij partiak, (shumë pranë Partisë Demokratike në pushtet), por edhe nga posti i tij si drejtor i Përgjithshëm i Arteve në Ministrinë e Kulturës, kompozitori Flamur Shehu i ka të gjitha mundësitë për të qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës. Nga ana tjetër, duket se prezenca e tij në zyrat e drejtuesve të Festivalit nuk ka rënë aspak për mirë në sytë e këngëtarëve pjesëmarrës, të cilët tashmë vënë në dyshim edhe punën e objektivitetin e jurisë. Greta Koçi: “Hyjmë për të fituar”Për të dytin vit radhazi pjesëmarrëse në festivalin e Këngës në RTSH, këngëtarja Greta Koçi pohon, se këtë vit misioni i saj është trofeu dhe përfaqësimi në Festivalin Evropian të këngës. “Sigurisht pas dy çmimeve (“Mikrofoni i Artë” dhe “Top Fest”) qëllimi im është fitorja”, shprehet këngëtarja e shoqëruar dhe menaxhuar nga prindërit e saj. Ajo tregon gjithashtu, se ka një këngë shumë të arrirë si në kompozicion, ashtu edhe në vargjet e shkruara nga Jorgo Papingji dhe Agim Doçi. Gjithashtu, Greta Koçi e cila do të performojë sonte në mbrëmje live, në sallën e Pallatit të Kongreseve, pohon se ka menduar në detaje edhe për elementët skenikë, duke premtuar një prezantim të suksesshëm. Kjo është e para herë që Greta këndon një këngë të një kompozitori tjetër dhe jo të Genti Lakos i cili këtë rradhë ka zgjedhur Mariza Ikonomin për tu përfaqësuar në festival. Elsa dhe Pirro, shkëlqejnë edhe në prezantim Gjithmonë një pikë delikate, duket se këtë vit prezantimi i festivalit të Këngës, ka qenë një prej pikave më të forta. Gjetja e regjisorit Pali Kuke dhe e drejtorit artistik Edmond Zhulali, ka qëlluar e duhura. Të suksesshëm në muzikë të dy këngëtarët kanë treguar në natën e parë të festivalit, se dinë të jenë po aq të arrirë edhe si prezantues, duke sjellë një prej çifteve më të suksesshëm në skenën e Festivalit vitet e fundit. Gjatë provave Elsa ka qenë vazhdimisht e shoqëruar edhe nga e motra siç e shihni edhe në foto. Këngëtarët ndërhyjnë tek anëtarët e jurisë Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë kontestime. Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë thashetheme, që qarkullojnë korridoreve apo zyrave. Për këtë jemi të sigurt. Megjithatë, duke vlerësuar pjesëmarrjen e emrave dinjitozë në jurinë e Festivalit të 46-të të Këngës, ne shpresojmë që ata do të jenë realistë në vlerësimet e tyre, duke synuar prezantimin sa më serioz të Shqipërisë në Beograd. Pasi i kanë dëgjuar këngët, anëtarë të ndryshëm të jurisë janë shprehur se në këtë Festival ka këngë vërtet shumë të mira, ashtu sikurse ka edhe krijime, që ndoshta nuk meritonin të ishin aty. Megjithatë, duke e cilësuar si një prej festivaleve në të cilin gjejmë të rikthehen emra të njohur dhe big të muzikës sonë, besojmë dhe shpresojmë edhe në një vlerësim korrekt të jurisë. Por nuk mund të mohojmë se edhe këtë vit nuk kanë munguar këngëtarët, që janë përpjekur të ndërhyjnë me mënyra të ndryshme tek anëtarët e jurisë, për të fituar çmimin.