Lirohet pas arrestimit Ferdinand Sporea, Apeli dha dënim me kusht
• TIRANE - Ferdinand Sporea, ish-kreu i Qeverisë Studentore, i dënuar në mungesë për shitjen e tezës së Juridikut në shtator 2005, la dje qelinë 24 orë pas arrestimit të bujshëm në Durrës.Lajmin e pohojnë zyrtarisht burime policore të kryeqytetit, të cilët pasditen e djeshme i hoqën prangat 36-vjeçarit, pasi u njohën me vendimin e Gjykatës së Apelit të kryeqytetit. Sipas këtij vendimi të formës së prerë, dënimi me një vit e gjysmë burg ndaj tij i dhënë nga Gjykata e Tiranës ishte pezulluar duke e vënë të pandehurin në një kusht dy vjeçar, në mënyrë që të mos kryente vepër tjetër penale. Sporea u prangos pasditen e së premtes në lokalin "Blusky" në Durrës, ndërsa policia e reklamoi atë si një operacion të suksesshëm, duke publikuar se në arkivat e policisë ekzistonte ende vendimi për vendosjen e masës së sigurisë në mungesë për Sporean, që nga shtatori i vitit 2005, kur ai akuzohej për "vjedhje", "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion pasiv i kryer nga persona që ushtojnë funksione publike". Pas përfundimit të hetimeve ndaj Sporeas, prokuroria e kishte ndryshuar akuzën ndaj tij në "ushtrim ndikimi të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike", nën të cilën gjykata akordoi një vit e gjysmë burg për të dhe 7 milionë lekë të vjetra gjobë. Pas kësaj avokati i pandehurit e apeloi çështjen, ku Shkalla e Dytë vendosi ta linte në fuqi masën e dënimit, por e pezulloi aty duke e vënë të dënuarin në provë për dy vjet. Nëse ai gjatë kësaj kohe do kryejë vepër tjetër penale, veç dënimit që do marrë për të, do t'i duhet të vuajë edhe këtë. fa.ma.