KLD, “ok” Alibeajt për shtimin e numrit të gjyqtarëve
TIRANE-Shtohet numri i gjyqtarëve në dy gjykatat më të mëdha në vend. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar dje propozimin e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për rritjen e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e Tiranës, Durrësit dhe atë të Apelit të kryeqytetit. Ky vendim është marrë në kuadër të riorganizimit të gjithë sistemit gjyqësor në vend si dhe duke pasur parasysh fluksin e madh të punës që përballojnë këto gjykata përgjatë një viti. Gjithashtu, pas shumë diskutimesh është parë i nevojshëm reduktimi i gjyqtarëve në disa gjykata të vogla në vend, për shkak se numri i dosjeve është i paktë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh dje nën drejtimin e Presidentit Bamir Topi, që është në të njëjtën kohë dhe kreu i dikasterit më të lartë të Drejtësisë. Gjatë mbledhjes që zgjati më shumë se nëntë orë, është diskutuar për një riorganizim të gjithë sistemit të Drejtësisë. Gjithashtu, një tjetër pikë mjaft e debatueshme ka qenë dhe ajo në lidhje me kriteret e reja të emërimit të gjyqtarëve. Këta të fundit duhet të plotësojnë tashmë një sërë kriteresh për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë. Në katër orët e fundit të mbledhjes është vazhduar më shqyrtimin e procedimeve ndaj tetë gjyqtarëve, ndaj të cilëve kreu i dikasterit të Drejtësisë ka propozuar marrjen e masave disiplinore. Burime pranë KLD-së, bëjnë të ditur se debatet kanë qenë mjaft të forta gjatë shqyrtimit të procedimeve, por nuk është marrë ndonjë masë konkrete, pasi është vendosur të merren mbledhjen e radhës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)