E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, maskat tentojnë të grabisnin kambistin

Vlorë- Dy persona kanë tentuar të grabisin banesën e një kambisti në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës. Burimet e policisë lokale pohuan se kur kambisti ka hapur derën ka parë dy persona të armatosur me pistoletë dhe të maskuar. Pas kësaj 44-vjeçari ka bërë rezistencë duke u përleshur me dy personat.

Duke parë situatën e alarmuar dhe zhurmën e bërë për shkak të bërtitjeve të familjarëve të F. S, dy grabitësit janë larguar me vrap. Në momentin e daljes nga hyrja e pallatit ata kanë qëlluar në ajër me armë me qëllim që të mos i ndiqnin nga pas persona të tjerë. Pas largimit të grabitësve, familja e të dëmtuarit ka telefonuar policinë.

Hetuesit pohuan se nga marrja në pyetje e kambistit, dhe dëshmitarëve të tjerë të ngjarjes, nuk është bërë i mundur identifikimi i personave që tentuan grabitjen. Sipas vete kambistit, dy personat e armatosur dhe të maskuar kishin ardhur me qëllim të vidhnin paratë që kishte në shtëpi.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur kërkimet në lagjen “Partizani” e më tej. Pas ngjarjes u shoqëruan dy persona, por ende nuk është verifikuar nëse kanë lidhje me ngjarjen apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›