KLD shkarkon gjyqtarin Neritan Tabaku. Inspektorët i gjetën 60 dosje të pazbardhura
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të shkarkojë gjyqtarin e Durrësit, Neritan Tabaku. Ai u përfaqësua në seancën e sotme nga avokati i tij. Disa herë mbledhja e KLD ishte shtyrë për shkak se Tabaku nuk preferoi të paraqitej, duke argumentuar se ishte sëmurë.
Gjithçka nisi pasi u vra kryekomisari i Shijakut nga Ilir Xhakja, i akuzuar, por i liruar në mënyrë të çuditshme nga Gjykata e Durrësit. Lirimin e kishte bërë gjykatësi Neritan Tabaku, që për më tepër nuk kishte zbardhur dosjen e tij.
Ndërkohë inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë befasuar nga skandali në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, ku ka rezultuar se numri i dosjeve të pazbardhura që ndodheshin në zyrat e gjyqtarëve të Durrësit dhe të padorëzuara me vendim të arsyetuar në kryesekretari, arrinte në 140.
Pas kontrollit disaditor rezulton se dosjet u përkasin tre viteve të fundit dhe ku pjesa më e madhe i takon gjyqtarit Neritan Tabaku, pasi ai nuk ka zbardhur vendimet e 60 dosjeve, një ndër të cilat është edhe ajo e Ilir Xhakjes.
Sipas GSH, 36 dosje janë të gjyqtarit Shpëtim Reka, të cilit i është dhënë paralajmërim për largim nga detyra, 16 i përkasin gjyqtarit Markelian Koçaj dhe pjesa tjetër gjyqtarëve të tjerë.