Pango: “Shpërblimet? OK, por pas kontrollit antidoping”
“Qeveria është e angazhuar për ta mbështetur sportin cilësor”, - tha ministri i TKRS-së, Ylli Pango gjatë konferencës së tij të shtypit. Vendimi i Këshillit të Ministrave, (2006), sipas ministrit, për shpërblimin e sportistëve që arrijnë rezultatet të larta, është shumë i lartë edhe në krahasim me shumë vende europiane. “Shpërblimi dhe mbështetja e 5 sportistëve më të mirë të vitit 2007 dhe trajnerëve të tyre, është një dëshmi e gjallë e përkujdesjes së shtetit ndaj kësaj elite sportive”, - theksoi Pango. Kreu i dikasterit të Sporteve organizoi enkas një konferencë shtypi për të falënderuar tre nga sportistët më elitarë, të cilët arritën ditët e fundit rezultate të larta në arnën ndërkombëtare: peshëngritësen Romela Begaj (vendi i dytë në Kampionatin Europian të peshëngritjes Itali 2008), mundësin Elis Guri (vendi i tretë në Kampionatin Europian të Mundjes në Finlandë 2008) dhe qitësen Lindita Kodra (vendi i katërt në Kupën e Botës, Pekin 2008). MTKRS-ja publikoi edhe shifrat me të cilat do të shpërblehen sportistët medalistë, pas marrjes edhe të përgjigjes antidoping. Kështu Romela Begaj pritet të shpërblehet me 3 000 000 lekë (për vendin e dytë në Europianin e Peshëngritjes) dhe Elis Guri me 2 000 000 lekë (për vendin e tretë për Europianin e Mundjes),
Shpërblimet
Romela Begaj 3.000.000 lekë
Elis Guri 2.000.000 lekë
“Thesi” qeveritar
Nëse për Lojërat Olimpike “Athina 2004”, MTKRS-ja akordoi 2,325.000 lekë, për “Pekin 2008”, shuma është thuajse trefishuar: 6 200 000 lekë.
6 olimpistë
Shqipëria për herë të parë kualifikoi në Olimpiadën e Pekinit gjashtë sportistë me normë të kualifikuar: Lindita Kodra (qitje), Dorian Çollaku (hedhës çekiçi), Sait Prizreni (mundës), Elis Guri (mundës) dhe dy peshëngritës. Gjithsesi, disa sportistë do të marrin pjesën në Lojërat Olimpike edhe me disa ftesa nga Komitetit Olimpik Shqiptar.
22 Prill 2008