KLD, verifikime në gjykata për dosjen e Ilir Xhakjas

I forti i Shijakut me një CV të “pasur” me precedentë penalë – i dënuari me 21 vjet burg, u lirua në vitin 2007-ë për “mungesë provash”
Autori i ngjarjes së rëndë në fshatin Shnavlash në zonën e Durrësit, Ilir Xhakja 28 vjeç, ku pas një breshërie armësh mbeti i vrarë shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, ka një rekord ngjarjesh kriminale duke nisur që nga fillimi i viteve ’90. Sipas skedës së shpërndarë nga policia, dyshohet prej për një seri vrasjesh, por ai është dënuar vetëm në vitet 1995 dhe 1996, një herë më një vit dhe më pas me 6 muaj burgim për kanosje me armë. Në vitet e mëpasshme ai do të përfshihet në vrasje të tjera, një pjesë të mbetura të pazbuluara dhe do të dënohej me 21 vjet burgim në mungesë. Ai u arrestua në vitin 2007. Por procesi ndaj tij mori një kthesë të papritur. Dosja e tij u kthye për rigjykim nga Gjykata e lartë në Gjykatën e Durrësit e cila dha më pas dënim vetëm për armëmbajtje pa leje.
Pas ngjarjes së rëndë ku protagonist i saj është një eksponent me precedentë të rëndë penalë por i pa dënuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) do të nisë një inspektim për verifikimin e veprimtarisë gjyqësore kundër shtetasit Ilir Xhakja. Me urdhër të Zëvendëskryetarit të KLD-se, Inspektorati i këtij Këshilli do të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të realizuar nga gjykatat, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve, autorë edhe të ngjarjes tepër të rëndë, të ndodhur në datën 13.09.2012, ndaj shefit të Komisariatit të Shijakut, Kryekomisarit Adem Tahiraj. Sipas skedimit nga ana e policisë, Ilir Xhakja është një person me precedentë të theksuar penalë.