Përcillet për në banesën e fundit Kryekomisar Adem Tahiraj

Trupi i pajetë i kryepolicit të Shijakut, Tahiraj u preh në varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Komisioni Shtetëror për Dëshmorët e shpall Kryekomisar Adem Tahirajn, “Dëshmor të Atdheut”
Mes lotëve dhe dhimbjes së familjarëve, miqve, të afërmve dhe krerëve të lartë të shtetit, u përcoll dje për në banesën e fundit, Kryekomisar Adem Tahiraj 49 vjeç, baba i tre fëmijëve. Pas homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, trupi i pajetë i Tahirajt u përcoll drejt varrezave “Dëshmorët e Kombit”.
Kortezhit të varrimit iu bashkua edhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, funksionarë dhe kolegë të të ndjerit, të cilët ndanë dhimbjen me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij. Nën interpretimin e muzikës funebre, kolegë të komisar Tahirajt, nderuan kryepolicin e Shijakut për guximin dhe trimërinë e tij, në përballjen e egër me krimin i cili i mori jetën në krye të detyrës.
Njëri prej kolegëve të tij tha fjalët e lamtumirës të shoqëruara më pas me 2 minuta heshtje. “Kjo, dita e lamtumirës për mikun tonë, janë momentet e një dhimbje të thellë pasi një ditë më parë dora e krimit këputi në mes jetën e komisar Ademit. Me humbjen e tij, policia humbi një punonjës të aftë me vlera të larta, kolegët një mik të mirë. Gjatë karrierës së tij 26 vjeçare ai nuk u tremb asnjëherë madje dha dhe jetën në përballje me krimin”- u shpreh një nga kolegët e komisar Tahiraj në ceremoninë e përcjelljes së tij për në banesën e fundit. “Kujtimi yt do jetë gjithmonë i pranishëm në zemrat tona”, vijoi ai, ndërsa më pas u mbajtën 2 minuta heshtje në nderim të figurës së tij.
Kryekomisar Adem Tahiraj u vra në krye të detyrës pasditen e 13 shtatorit nga dy persona, njëri prej të cilëve ndodhet tashmë në duart e drejtësisë, i shumëkërkuari dhe me precedentë të rëndë penalë, Ilir Xhakja, ndërsa në kërkim nga policia është nipi i tij, Ledio Krasniqi. Kryekomisar Tahiraj ishte emëruar si shef i Komisariatit të Shijakut një vit më parë dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” dje më datë 14 shtator 2012, me vendim të Komisionit Shtetëror për Dëshmorët. Kryekomisar Adem Tahiraj, 49 vjeç, baba i tre fëmijëve, ka kryer një sërë funksionesh si shef i njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, shef i Komisariatit të Policisë Shijak, etj.
Gjatë gjithë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të rendit dhe sigurisë publike, të policisë kriminale dhe të shefit të komisariatit të policisë, është karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrës, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në luftën pa kompromis kundër elementeve kriminalë, si dhe është dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët.
Kryekomisar Adem Tahiraj humbi jetën në datën 13 shtator 2012, në krye të detyrës dhe dje trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.