E Martë, 3 Nëntor 2026

KLGJ pezullon gjyqtaren, Arnisa Këlliçi, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës për ‘kallëzim të rremë’

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) pezulloi të mërkurën nga detyra gjyqtaren, Arnisa Këlliçi. Shkarkimi i saj u bë me votat e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së. Po të mërkurën gjyqtarja Këlliçi u mor edhe si pandehur nga Prokuroria e Tiranës.

Pezullimi i gjyqtares vjen pas nisjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës me akuzën se ajo ka bërë kallëzim të rremë. Pak ditë më parë Këlliçi kërkoi mbrojtje të posaçme, pasi pretendoi se ishte kërcënuar ajo dhe familja e saj nëpërmjet një letre anonime.

Gjyqtarja, për këtë, dorëzoi edhe në KLGJ një letër, e cila, sipas saj, bënte kërcënime ku përmendeshin edhe  dy fëmijët.

Por, sipas Prokurorisë së Tiranës, gjyqtarja Këlliçi dorëzoi dokumente të rreme për të siguruar mbrojtjen.

Ngjarja

Pak ditë më parë, gjyqtarja Arnisa Këlliçi pretendoi se ishte kërcënuar dhe kërkoi mbrojtje të posaçme. Këlliçi paraqiti një letër kërcënuese në komisariatin nr.3, ku mes të tjerash përmendeshin edhe dy fëmijët e saj.

KLGJ e shqyrtoi rastin dhe vendosi mbrojtjen e gjyqtares së Shkallës së Parë në Tiranë. Por prokuroria, pas hetimeve, ngriti dyshime se edhe në KLGJ gjyqtarja Këlliçi ka paraqiti prova të rreme.

“E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”, ishte letra që gjyqtarja ka paraqitur në komisariat dhe pretendoi se i kishte ardhur në zyrën e saj më 20 janar 2024.

Pas nisjes së hetimeve nga ana e prokurorisë së Tiranës është konstatuar se letra është shkruar nga vetë gjyqtarja duke e akuzuar atë për “kallëzim të rremë”

“Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallëzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K.”, tha prokuroria.

Gjithashtu, gjyqtarja ka marrë një urdhër mbrojtje për vetë dhe familjen e saj për një periudhë 3-mujore nga KLGJ, për të cilën prokuroria thotë se “Arnisa Këlliçi ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të dhëna me përmbajtje të rreme, me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat, nuk i takojnë dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të dokumenteve””.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›