E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Autoriteti i Aviacionit Civil, 2 milion euro dëme duke favorizuar Belle Air dhe Albanian Airlines

Share

Kontrolli i Lartë i Shtetit bën kallëzim penal për ish- drejtorin e AAC dhe zëvendësdrejtorin aktual

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar sot rezultatet e një auditimi që ka zhvilluar në Autoritetin e Aviacionit Civil për periudhën 1.9.2010 deri më 29.2.2012.

Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se, menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC është shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi, thuhet në njoftim.

Pasojat e shkeljeve ligjore të zyrtarëve të AAC kapin një vlerë prej rreth 2.5 milion euro. Nga këto rreth 2 milion euro janë efekte financiare negative dhe pjesa tjetër janë dëm ekonomik në buxhetin e AAC.

Vlera totale e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë efekte financiare negative llogariten në vlerën 1,986,116 Euro; ndërsa me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e AAC në vlerën 8,586,666 lekë dhe 416,411 Euro, thuhet në njoftim.

Shkeljet

Në shkeljet e renditura nga KLSH të bie në sy se 2 milion euro është dëmi që është shkaktuar për të favorizuar Belle Air dhe Albanian Airlines.

-Mos hartimi dhe mosparaqitja për miratim te Ministri i MPPT i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC, për shërbimet që duhen kryer në zbatim të nenit 9, pika 2, të ligjit nr. 10040, datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i RSH” dhe neneve 6, 17 të ligjit nr. 10233, datë 11.02.2010 Për Autoritetin e Aviacionit Civil, gjë e cila është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1,986,116 Euro, duke favorizuar kompanitë ajrore Belle Air dhe Albanian Airlines.

-Mosparashikimi i të ardhurave nga udhëtimet Charter, duke i kaluar ato në udhëtime Schedule, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 405,650 Euro, veprim ky në kundërshtim me vendimin e KM nr. 492, datë 30.6.2005 Për caktimin e tarifave të shërbimeve.në AAC. 

-Mosbashkëpunimi dhe mosrakordimi ndërmjet AAC dhe Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza Rinas,  lidhur me numrin e pasagjerëve të terminuar, për të cilët aplikohet tarifa e sigurisë 2 Euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga Aeroporti (25 % e të cilës merret nga AAC), me pasojë dëm ekonomik në vitet 2010-2011, në vlerën 10,761 Euro.

-Moszbatimi i kushteve të kontratës të lidhur me një fondacion shqiptar (drejtuesit e së cilës janë në lidhje të afërta me ish Drejtorin e AAC), ku nga auditimi me zgjedhje, vetëm për muajin nëntor 2011 është konstatuar një diferencë me pasojë dëm ekonomik, ndërmjet ditëve (FT) të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara, e cila llogariten në vlerën 4,386,666 lekë.

Masat

Lidhur me masat disiplinore, KLSH ka rekomanduar, fillimin e procedurës për:

Largim nga puna në Autoritet për Zv/ Drejtorin Ekzekutiv, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar); dhe

Paralajmërim me shkrim për largim nga puna me afat shlyerje 1 vit e Vërejtje me shkrim me afat shlyerje 6 ( gjashtë) muaj, për 26 punonjës, masa të cilat mund të thellohen nga Drejtori Ekzekutiv i AAC, në varësi të shkallës së parregullsive dhe shkeljeve të shkaktuara nga secili punonjës i përgjegjësuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit.

Për ish Drejtorin Ekzekutiv masa disiplinore largim nga puna në autoritet konsiderohet e ezauruar, për shkak se Ministri i Punëve Publike dhe Transportit e ka larguar nga puna në AAC.

Nga vlerësimi i veprimtarisë dhe referuar shkeljeve të sipërcituar të shoqëruar me dëme ekonomike dhe efekte financiare negative për AAC, konstatohen elementë të veprave penale, ndaj për këtë KLSH mbështetur në nenin 248 Shpërdorimi i detyrës dhe nenin 258 Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, ka depozituar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për Ish Drejtorin e AAC dhe Zv/ Drejtorit Ekzekutiv në cilësinë e Titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›