KLSH: Hipotekat shkelje në regjistrimin e tokës

Regjistrimi dhe shpërndarja e tokës tashmë është kthyer në një fenomen shqetësues. Zyrat e regjistrimit të pasurive shënojnë abuzime me regjistrim të pronësisë mbi sipërfaqen e përcaktuar në çertifikatën e regjistrimit apo me emra të ndryshëm subjektesh dhe mijëra sipërfaqe tokë të regjistruar me mbivendosje. Të gjitha këto shkelje janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në zyrat e regjistrimit të pasurive të patundshme të qarkut të Gjirokastrës. Kontrollet janë ushtruar në katër-mujorin e parë të këtij viti, kurse periudha e kontrolluar nis nga viti 2005 – 2007. Fillimisht në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se kontrolli i ushtruar mbi mënyrën e regjistrimit fillestar dhe pranimin e dokumentacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të përfituara nga ligji nr.7698 datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish pronarëve” zbardh se në emër të personave të ndryshëm janë regjistruar direkt në pronësi vendime të Gjykatës të shkallës së parë Gjirokastër. Janë 27 raste të tilla me sipërfaqe prej 40.553 m2 nga të cilat në 7 raste me sipërfaqe 9.683 m2, është vepruar duke e paraqitur pronësinë në hartën treguese regjistruese (HTR) dhe kartelën e pasurisë së paluajtshme (KPP). Sipas kontrollit të Lartë të Shtetit nga sipërfaqja e përgjithshme prej 40.553 m2, 16 raste me sipërfaqe 23.364 m2 i përkasin qytetit Gjirokastër, 4 raste me sipërfaqe 4007 m2, i përkasin qytetit Libohovë dhe 7 raste me sipërfaqe 13.180 m2, i përkasin fshatrave të ndryshëm.
Regjistrim tokës mbi sipërfaqen e çertifikuar
Përveç kësaj abuzime janë konstatuar edhe nga regjistrimi i tokës bujqësore të shpërndarë sipas ligjit nr.7501. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar kontroll në kartelat e pasurive të paluajtshme por edhe në certifikatat e regjistrimit nga ku u konstatua se në 26 raste është dhënë 10.757 m2 tokë bujqësore më tepër në çertifikatat e regjistrimit. Regjistrimi i pronësive sipas përshkrimit të paraqitur më lart është në kundërshtim me ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ngarkon me përgjegjësi Jani Rafti me detyrë ish regjistrues dhe Genti Zhuzhuni me detyrë jurist. Ish- regjistruesi Jani Rafti , ka bërë vërejtje të cilat përmblidhen në faktin se regjistrimet e kryera prej tij janë të saktë, por ato nuk u konsideruan nga grupi i kontrollit me argumentet e paraqitur në procesverbalin përkatës. Kurse Genti Zhuzhuni ka bërë vërejtje se ai nuk ka plotësuar asnjë çertifikatë pronësie si për tokat bujqësore ashtu edhe për raste të tjera .të cilat nuk u konsideruan nga kontrollorët me arsyetimin se është e vërtetë se Genti Zhuzhuni nuk ka firmosur asnjë çertifikatë pronësie, por rastet e përshkruara në material janë praktika të plota regjistrimi dhe në vite të ndryshme për të cilat ai si jurist duhet të mbante qëndrim, pasi me mosveprimet e tij ai ka lejuar që të ndodhin këto regjistrime të gabuara.
Mbivendosje, hipotekat 9 raste regjistrimi
Fenomeni i mbivendosjes gjatë regjistrimit të pronës vazhdon të jetë ende i pranishëm në hipoteka. Fakt janë abuzimet e zbuluara nga Kontrolli i Lartë i shtetit në hipotekën e Gjirokastrës ku janë zbuluar 9 raste me mbivendosje me sipërfaqe prej 16.100 m2. Në një rast për sipërfaqe 6600 m2 është kryer regjistrim pasurie, është hartuar kartela e pasurisë dhe nxjerrë certifikata e pronësisë në favor të qytetarit, ndërsa për 8 raste me sipërfaqe 9500 m2, nga regjistruesi është nxjerrë urdhër pezullimi në zbatim të nenit 10, përparësia e regjistrimit të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar. Në rastin e regjistrimit të pronësisë të një subjekti një pjesë e saj me sipërfaqe 6.600 m2, është me mbivendosje me tregun agro-ushqimor të ndërtuar nga bashkia Gjirokastër me financime të Bankës Botërore një vit para se ZRKKP Gjirokastër të njihte dhe t’i kthente në natyrë pronësinë, këtij subjekti.
Nuk janë zbatuar rekomandimet e KLSH-së
Përveç shkeljeve në regjistrimin e pronës në hipotekat e Gjirokastrës raporti i KLSH-së verën se nga ky institucion nuk janë zbatuar detyrat dhe masat disiplinore të rekomanduara në kontrollet e mëparshme. Bëhet fjalë për zbatim të 9 masa organizative, 13 masa për zhdëmtim dhe 1 masë disiplinore. Nuk është zbatuar 1 masë organizative, e cila ka të bëjë me arkëtimin e vlerës 3.304.423 lekë nga një punonjës për shitjen e një godine Zyrës Rajonale të Punësimit Gjirokastër. Po ashtu është zbatuar pjesërisht 1 masë zhdëmtimi, e cila ka të bëjë me mos kryerjen e kontabilizimit dhe ndalesës për 5 persona në vlerën 254.620 lekë, nga shuma e përgjithshme prej 542.862 lekë për 13 persona e rekomanduar për zhdëmtim.