Ja se kush rrezikon burgun për pensionet

TIRANË – Skandali i dosjeve të pensioneve të parakohshme bën Institutin e Sigurimeve Shoqërore, antikrimin ekonomiko financiar në drejtorinë e policisë së Tiranës, si dhe prokurorinë që të përveshin mëngët e t’i futen punës për zbulimin e parregullsive që duket se funksionojnë prej vitesh. E ndërsa zyrtarisht ISSH- ja deklaron se deri në datën 15 maj të këtij viti janë zbuluar 450 dosje të parregullta dhe me dokumente të falsifikuara të pensioneve, për antikrimin janë dokumentuar rreth 250 dosje. Burime konfidenciale nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se që nga viti 1998, po merren për verifikim një për një të gjithë dosjet në degët rajonale të Sigurimeve Shoqërore në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa sipas shifrave zyrtare të ISSH-së mësohet se që nga viti 1993 janë marrë për verifikim të gjitha dosjet e pensioneve në të gjithë republikën. Deri tani antikrimi ka arrestuar katër persona, dhe burime të besueshme policore bëjnë të ditur se priten arrestime të tjera dhe se nën hetim mësohet të jene punonjës të institucioneve përkatëse, kryesisht të Sigurimeve dhe të minierave.
Policia
Për herë parë policia e Tiranës bëri publike, në 4 prill të këtij vitit se 200 dosje pensionesh false ishin dokumentuar e zbuluar pas disa muajsh hetime. Atëherë u tha se
vetëm me 50 000 mijë lekë të reja, 11 persona, merrnin pension pleqërie në mënyrë të padrejtë që nga viti 2000. Dokumentet i përgatisnin me certifikata false, duke u ndihmuar nga punonjës të sigurimeve shoqërore. Të 11-të personat paraqiteshin si ish-punonjës të minierës së Krrabës. Burime zyrtare pranë kësaj policie bëjnë të ditur se ka qenë pikërisht zbulimi i këtij mashtrimi që më pas ka çuar në 200 numrin e mashtrimeve në total.
Vetëm një javë më pas agjentët e antikrimit të kryeqytetit arrestuan 55-vjeçarin Rasim Vaizi, si autorin e falsifikimeve të dokumenteve të dosjeve të pensioneve.
Gjatë hetimeve rezultoi se ai se prej tetë vitesh ka bërë dokumente fals personave, të cilët kundrejt 20 000 ose 30 000 lekëve të reja përftonin pension të parakohshëm. Pas dokumentimit të veprës penale, të akuzuarit i janë gjetur në shtëpinë e tij në Allias një arsenal i vërtetë dokumentesh, të cilat do të përdoreshin për abuzime të tjera për përftim pensionesh.
Ndërkohë që para gjashtë ditësh u bënë tre arrestimet e para të punonjësve të sigurimeve. Qazim Laçi, ish-drejtor i minierës së Priskës dhe ish-deputet, Fatmir Sula, ish-shef i degës së kuadrit në minierën e Priskës, si dhe Rabije Pupla, ish-përgjegjëse e zyrës së verifikimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë u vunë nën pranga gjatë operacionit të koduar “Qelia e hapur”. Veprimtaria e paligjshme e tyre kryhej për 200 mijë lekë të reja për çdo person që do të përfitonte pension. Tre ditë më pas, në vazhdim të këtij operacioni arrestohet ish-punonjësi i drejtorisë rajonale të Sigurimeve shoqërore, 41-vjeçari Qemal Caka. Atij ju dokumentuan abuzimet me 10 dosje, vlera e të cilëve kapte në total 9 milion lekë të reja.
Në gjykatë
Pas zbulimit të skandalit që duket se po merr përmasa të frikshme, një rol aktiv në zbardhjen e plotë të çështjes ka luajtur edhe Prokuroria e Tiranës, e cila mësohet se ka nën hetim me qindra dosje të personave që kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të pa drejtë. Në bazë të shifrave zyrtare të nxjerra nga Gjykata e Tiranës, rezulton se vetëm në dy muaj janë dënuar 12 persona të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimin e pensionit të pleqërisë. Mësohet se nga muaji prill e në vazhdim në organi i akuzës ka depozituar me dhjetëra dosje penale me të pandehur pensionist, të cilët nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë arritur të plotësojnë vjetërsinë e punës dhe të përfitojnë pension pleqërie, pavarësisht moshës së saktë, apo viteve reale të punës. Aktualisht në Gjykatën e Tiranës ndodhen në proces gjykimi të paktën 15 dosje me objekt “mashtrimin”, ku të pandehur janë të moshuar që nëpërmjet personave të tjerë kanë arritur të krijojnë dosjen e plotë të dokumenteve me të cilat kanë mashtruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që ka vendosur lidhjen e pensioneve.
Prokuroria
Por më e frikshme bëhet situata kur iu referohesh shifrave të Prokurorisë rreth kësaj çështje. Në organin e akuzës nga fillimi i vitit janë depozituar me qindra dosje për të cilët prokurorët përkatës po punojnë për t’i çuar në Gjykatë, ku do të përballen me përgjegjësinë ligjore për veprën penale të “Mashtrimit”. Nga 12 vendimet e shpallura nga Gjykata e Tiranës për “pleqtë mashtrues” pjesa më e madhe e dënimeve janë me gjobë e cila varion në masën 200 mijë deri në 400 qind mijë lekë, pa përjashtuar as dënimet me burg të cilat përfundojnë me lirim me kusht. Në asnjë nga 12 vendimet e Gjykatës së Tiranës nuk është vendosur kthimi i shumës së parave të përfituar në mënyrë të pa drejtë nga pensioni i pleqërisë, edhe pse këta persona dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm monetar, i cili ende është në fazën e përllogaritjes, por të gjithë janë dënuar me gjoba të majme të cilat duhen të paguhen brënda vitit.
Me shifrat alarmante të mashtrimit që shtohen përditë e më tepër dëmi financiar mund të përllogaritet në shifra tepër të larta, e cila nuk mund të shlyhet ndryshe veç kthimit të parave të përfituara në mënyrë të padrejtë nga pensioni i pamerituar.